Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e ngarkuar atë me veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.
Të lidhura
None found
Dosja përmban prova dhe materiale të shumta, të cilat, sipas organit të akuzës, lidhen me përfshirjen e Shehollit në këto veprimtari.
Në faqen 48 të aktakuzës janë përfshirë të dhënat e siguruara gjatë kontrolleve të zhvilluara ndaj tij. Këto materiale janë pjesë e raportit policor dhe janë administruar si prova nga Prokuroria.
Ndër dëshmitë e përmendura janë edhe dokumentet e Republikës së Serbisë, të cilat, sipas aktakuzës, i mundësonin Shehollit të udhëtonte në territorin serb dhe të koordinonte veprimet me BIA-n serbe.
Gjatë kontrollit të datës 09.10.2025, si dëshmi A#1, autoritetet kanë sekuestruar katër dokumente serbe në emër të Fatmir Shehollit: dy pasaporta, një letërnjoftim të Republikës së Serbisë dhe një librezë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Prokuroria vlerëson se posedimi i tyre ia lehtësonte lëvizjen në Serbi, si dhe kontaktet e detyrat që lidhen me veprimtarinë e BIA-së.
Aktakuza i referohet gjithashtu një raporti tjetër të Policisë së Kosovës, ku janë përfshirë materiale të sekuestruara gjatë kontrolleve në pronat e të pandehurit.
Një pjesë e këtyre provave lidhet me blerjen e një banese nga Sheholli prej institucionit mediatik serb JP Radio-Televizije Srbije – Beograd, me adresë në Takovska 10.
Sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të kryer më 09.10.2025, në materialin e sekuestruar A#35 janë gjetur dokumente që dëshmojnë lidhjen e kontratës së shitblerjes së kësaj banese ndërmjet Fatmir Shehollit dhe JP Radio-Televizije Srbije – Beograd.
Nga dëshmia A#35, prova 22, e marrë gjatë kontrollit në banesën dhe automjetin e tij, rezulton se Sheholli kishte në posedim dokumentacionin origjinal për një banesë në Prishtinë. Prona ishte blerë përmes një kontrate me JP Radio-Televizija Srbije – Beograd, institucion ku ai kishte qenë i punësuar.
Prokuroria e cilëson si rrethanë me rëndësi faktin se, deri në momentin e lidhjes së kontratës, Sheholli ishte paraqitur si pjesëtar i SUP-it Serb në Podujevë. Dokumentet e sekuestruara, sipas aktakuzës, dëshmojnë më pas edhe punësimin e tij në strukturën e Radio-Televizionit të Serbisë në Prishtinë, në periudhën kur dhuna e Ushtrisë dhe Policisë Serbe ndaj popullatës shqiptare kishte arritur kulmin.
Këto rrethana, të vlerësuara së bashku me provat e tjera të mbledhura në këtë çështje penale, konsiderohen relevante nga Prokuroria për të sqaruar lidhjet dhe angazhimet e Shehollit me strukturat shtetërore të Serbisë edhe gjatë asaj kohe. Materialet janë bashkëngjitur në dosjen e përgjithshme të aktakuzës.
Aktakuza përfshin edhe të dhëna dhe detaje të tjera, për të cilat Prokuroria Speciale pretendon se Fatmir Sheholli ka qenë i përfshirë në raste të shumta spiunazhi.
