Valmir Matoshi do të vazhdojë karrierën në Austri, pasi transferimi i tij te Sturm Graz është bërë zyrtar.
Të lidhura
None found
Sturm Graz ka konfirmuar marrëveshjen me FC Thun, kampionin aktual të Zvicrës, për kalimin e mesfushorit 23-vjeçar. Matoshi ka firmosur një kontratë afatgjatë me klubin austriak.
Futbollisti, i cili ka shtetësi zvicerane dhe kosovare, është formuar në akademinë e Thunit. Me skuadrën zvicerane ka regjistruar 121 ndeshje, në të cilat ka realizuar 18 gola dhe ka dhënë 10 asistime.
Matoshi është gjithashtu pjesë e Kombëtares së Kosovës. Te Sturm Graz, ai pritet të ofrojë dinamizëm dhe mundësi të ndryshme përdorimi në repartin e mesfushës.
“Sturm është klub që ka krijuar një emër shumë të mirë në Evropë dhe këtë sezon do të luajë sërish në Ligën e Evropës. Klubi ka gjithmonë objektiva të mëdha dhe mund të identifikohem plotësisht me këtë projekt”, është shprehur Matoshi pas zyrtarizimit të transferimit.
Drejtori sportiv i Sturm Graz, Michael Parensen, ka theksuar se Matoshi ishte zgjedhja e parë e klubit për këtë rol, duke nënvizuar intensitetin e lojës së tij dhe aftësinë për t’u përshtatur në disa pozicione në mesfushë.
Pasi u shpall kampion i Zvicrës me Thunin, Matoshi hap tani një etapë të re në Austri, ku do të ketë rastin të paraqitet edhe në kompeticionet evropiane.
