Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë pritur sot gazetarë ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu u shpreh se disa prej gazetarëve ukrainas e kanë konsideruar Kosovën një shtëpi të përkohshme gjatë viteve të vështira të luftës.
“Nga Kosova keni vazhduar të shkruani, të raportoni, të flisni dhe të punoni për vendin tuaj. Është kënaqësi që sot jeni këtu me ne, pasi prania juaj i jep kësaj dite një kuptim të veçantë”, deklaroi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se, ndonëse historia e Kosovës nuk është e njëjtë me atë të Ukrainës, përvoja e vendit ka bërë që kosovarët ta kuptojnë thellësisht koston njerëzore të luftës.
“Ne e dimë çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur se kur do të kthehesh. E dimë rëndësinë e mbështetjes nga të tjerët në momentet kur ke më së shumti nevojë dhe e dimë se liria, kur kërcënohet, duhet mbrojtur me gjithçka që kemi”, theksoi ajo.
Sipas Haxhiut, rezistenca e treguar nga Ukraina gjatë këtyre viteve përbën një shembull të jashtëzakonshëm qëndrueshmërie.
“Ukrainasit kanë vijuar të mbrojnë vendin, komunitetet dhe mënyrën e tyre të jetesës, pavarësisht trysnisë së jashtëzakonshme. Ata kanë mbajtur në funksion institucionet, qytetet dhe shkollat, duke ruajtur të gjallë të vërtetën edhe gjatë vazhdimit të luftës. Kjo vendosmëri respektohet thellësisht nga Republika e Kosovës”, u shpreh U.D. Presidentja.
Haxhiu nënvizoi se Kosova ka qenë në krah të Ukrainës që në ditët e para të pushtimit rus, për shkak të besimit në të drejtën e popullit ukrainas për të vendosur vetë për të ardhmen, për të mbrojtur territorin dhe për të jetuar i lirë.
Ajo përmendi edhe masat konkrete të ndërmarra nga Kosova, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë menjëherë pas nisjes së agresionit rus, harmonizimin e mëtejshëm me partnerët evropianë dhe transatlantikë, pritjen e gazetarëve ukrainas, pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për qytetarët e Ukrainës dhe përgatitjet për të pritur njerëzit e detyruar të largohen nga shtëpitë për shkak të luftës.
Mbështetja, sipas saj, është dhënë edhe në fushën e mbrojtjes. Kosova është pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnimin e ushtarakëve ukrainas, përfshirë operacionin “Interflex”. Gjithashtu, Kosova ka ofruar dy pako ndihme ushtarake, të cilat përmbajnë 30 automjete ushtarake dhe 10 mijë predha mortajash.
Haxhiu tha se qëndrimi i gazetarëve ukrainas në Kosovë ka rëndësi të veçantë, pasi gjatë luftës së Kosovës u kuptua se sa e domosdoshme është dokumentimi i ngjarjeve dhe informimi i botës për atë që po ndodh.
“Për këtë arsye, ofrimi i një vendi të sigurt ku gazetarët mund të vazhdojnë punën e tyre ka qenë për ne shumë më tepër sesa thjesht sigurimi i strehimit”, tha ajo.
U.D. Presidentja e Kosovës deklaroi se vendi dëshiron paqe për Ukrainën, por një paqe që garanton pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj. Sipas saj, kjo duhet të jetë një paqe ku ukrainasit vendosin vetë për të ardhmen dhe e rindërtojnë vendin e tyre në liri.
“Kosova do të vijojë të qëndrojë përkrah Ukrainës. Shpresoj sinqerisht që lidhjet e krijuara mes njerëzve gjatë këtyre viteve të vështira të shndërrohen me kalimin e kohës në një afërsi edhe më të madhe mes dy vendeve tona. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Ukrainës dhe të gjithë ukrainasve!”, përfundoi Haxhiu.
