Kampionia e Kosovës, Drita, do të luajë sonte, të enjten, ndeshjen e parë të fazës play-off të Ligës së Konferencës.
Të lidhura
None found
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra nga Gjilani do të përballet me Inter Escaldesin e Andorrës, ndaj të cilit shihet si favorite e padiskutueshme.
Gjilanasit janë pranë sigurimit të një vendi në fazën e ligës, por për këtë duhet të ndërtojnë një avantazh që në takimin e parë.
Trajneri Ardian Nuhiu dhe sulmuesi Igball Jashari shfaqën optimizëm gjatë konferencës për media, përpara kësaj sfide.
Nuhiu vlerësoi kundërshtarin dhe kërkoi respekt maksimal ndaj tij, por nënvizoi se synimi kryesor i Dritës është kualifikimi në fazën e Ligës së Konferencës.
Ndërsa Jashari, ish-ylli i Drenicës, e pranoi se përballja do të jetë e vështirë, por u shpreh i bindur se ekipi mund të marrë një rezultat pozitiv.
Ndeshja në Prishtinë nis në orën 20:30, kurse revanshi do të zhvillohet pas një jave në Andorrë.
Në rrugëtimin e deritanishëm drejt Ligës së Konferencës, Drita ka kaluar Floriana-n e Maltës dhe Tre Fiorin e San Marinos.
