Joe Cole ngre në qiell Fabian Ruizin: Një nga lojtarët më të nënvlerësuar të të gjitha kohërave

Fabian Ruiz ishte ndër figurat kryesore të Paris Saint-Germainit në triumfin spektakolar 4-2 kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Mesfushori spanjoll e përmbylli paraqitjen e tij me golin që i dha formën përfundimtare fitores së parisienëve.

Performanca e Ruizit tërhoqi vëmendjen e ish-futbollistit anglez Joe Cole, i cili e vlerësoi maksimalisht ndikimin e tij dhe e renditi mes lojtarëve më të nënvlerësuar të të gjitha kohërave.

Të lidhura

None found

“PSG-ja e mbylli ndeshjen. Ai mund të jetë lojtari më i nënvlerësuar i të gjitha kohërave”, deklaroi Cole, duke theksuar rolin që Ruiz ka në ekipin francez.

Ish-reprezentuesi anglez shtoi: “Ai i ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm në futboll, përfshirë Ligën e Kampionëve. E kryen gjithmonë detyrën e tij dhe është vazhdimisht i pranishëm. Ajo që do të thoja është se kjo skuadër duket më e fortë kur ai është në fushë”.

Me qetësinë që përcjell në lojë, aftësinë për të menaxhuar ritmin dhe kontributin në të dyja fazat, Ruiz mbetet një element i rëndësishëm i mesfushës së PSG-së.

Fjalët e Cole nënvizojnë peshën e spanjollit në formacionin parisien, edhe pse ai shpesh nuk merr të njëjtën vëmendje si emrat më të njohur të skuadrës.


Shtuar më 21.10.2026 15:06