Bedri Hamza largohet përfundimisht nga drejtimi i PDK-së

Bedri Hamza ka njoftuar sot Kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës se po jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit.

Sipas Hamzës, largimi i tij nga drejtimi i partisë mundëson nisjen e një procesi të ri zgjedhor në PDK, ku anëtarët do të përcaktojnë drejtimin e saj të ardhshëm. Ai veçoi nevojën për pjesëmarrje më të madhe të të rinjve dhe për krijimin e hapësirave që ata të marrin përgjegjësi.

Të lidhura

None found

Hamza rikujtoi se që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, ka marrë përsipër detyra të ndryshme: kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidime radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë. Ai tha se këto i ka bërë nga përgjegjësia ndaj PDK-së dhe Kosovës, jo për ambicie personale.

Gjatë kohës në krye të partisë, shpjegoi Hamza, prioritet i tij ka qenë ruajtja e unitetit, e strukturave të PDK-së dhe e besimit të anëtarëve e votuesve.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh ai.

Hamza komentoi edhe vendimin e Dhomave të Specializuara për ish-udhëheqësit e UÇK-së. Ai shprehu zhgënjimin për padrejtësinë në Hagë dhe tha se do të vazhdojnë përpjekjet për drejtësi, për zbardhjen e së vërtetës dhe për kthimin e tyre pranë familjeve e Kosovës.

Në përmbyllje, ai u shprehu mirënjohje anëtarëve, strukturave dhe mbështetësve të PDK-së për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se interesat e partisë dhe të vendit duhet të kenë përparësi ndaj atyre personale.

“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi Hamza.


Shtuar më 21.10.2026 14:50