Në një deklaratë për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se “në Sarandë shteti dhe krimi janë një”, teksa ka reaguar për vrasjen e turistit portugez 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Shtetit, ka vënë në pranga autorin dhe disa persona të tjerë, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.
Të lidhura
None found
Berisha e cilësoi vrasjen e shtetasit të huaj si “pothuajse vrasje shtetërore” dhe e lidhi me situatën e sigurisë e kriminalitetit në Sarandë. Ai akuzoi qeverinë se ka lejuar, sipas tij, shkrirjen e kufijve mes shtetit dhe krimit në industrinë turistike të zonës.
“Vrasja e 20-vjeçarit portugez, turist në Ksamil, është një akt sipas të dhënave, pothuaj vrasje shtetërore. E them këtë në kuptimin, jo se ai u ekzekutua nga njerëz me uniformë, por në kuptimin e vërtetë se industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit”, tha Berisha.
“Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një. Ligji nuk ekziston. Në Sarandë, dhe jo vetëm, flitet gjerësisht për një ekonomi të bazuar në trafiqe droge, njerëzore etj, e cila gëlon nga darka në mëngjes në lokalet e natës, të cilat funksionojnë gjer në agim”, shtoi ai.
“Në plazhet e pushtuara, ku nuk gjendet një metër plazh publik, por të gjitha të dominuara nga të fortit që shesin shezlonget qindra euro”, tha Berisha mes të tjerash.
