Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë shqetësuese epidemiologjike, pasi numri i të prekurve nga virusi i Nilit Perëndimor ka arritur në 35, ndërsa katër persona kanë humbur jetën. Shumica e rasteve janë evidentuar në rajonin e Shkupit.
Të lidhura
None found
Të prekurit janë kryesisht mbi 60 vjeç. Në disa raste, infeksioni ka shkaktuar formën e rëndë neuroinvazive, e cila është shfaqur përmes encefalitit ose meningjitit. Një pjesë e pacientëve po trajtohen në Klinikën Universitare të Sëmundjeve Infektive në Shkup, ndërsa të tjerë ndodhen në njësitë e kujdesit intensiv.
Si masë ndaj përhapjes së virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje epidemie në disa komuna të Shkupit. Paralelisht, janë intensifikuar masat për kontrollin e mushkonjave dhe monitorimi epidemiologjik.
Përhapja e sëmundjes është përshpejtuar ndjeshëm brenda një periudhe të shkurtër. Në fund të korrikut ishin raportuar vetëm tetë raste, ndërsa pas disa javësh shifra u rrit në 35. Ky konsiderohet një nga shpërthimet më serioze në vend që prej regjistrimit të parë të virusit në vitin 2011.
Autoritetet shëndetësore u kanë kërkuar qytetarëve të mbrohen me repelentë kundër insekteve, të kufizojnë qëndrimin jashtë gjatë natës dhe të eliminojnë ujin e grumbulluar në oborre e në ballkone.
