Financial Times: Axel Springer synon një pjesë të TikTok-ut në Evropë

Axel Springer, grupi gjerman i medias që zotëron Politico dhe The Telegraph, ka propozuar marrjen e një pjesë të aksioneve në aktivitetet evropiane të TikTok.

Informacioni është bërë i ditur nga Financial Times, e cila citon burime të njohura me çështjen.

Të lidhura

None found

Pas kësaj nisme qëndron drejtori ekzekutiv i Axel Springer, Matthias Döpfner. Synimi i tij është riformatimi i pronësisë së platformës së videove në Evropë, në një mënyrë të ngjashme me ndryshimet e aplikuara në Shtetet e Bashkuara.

Financial Times raporton se Döpfner e shtroi këtë ide në janar, gjatë një takimi në Berlin me Charles Kushner, ambasadorin amerikan në Francë dhe babain e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Biseda u zhvillua në selinë e Axel Springer dhe u përqendrua te antisemitizmi në rrjetet sociale.

Në kuadër të këtij takimi, kreu i grupit mediatik gjerman diskutoi edhe mundësinë që kompania të bëhej pjesë e pronësisë së operacioneve evropiane të TikTok.

Ideja iu përcoll më vonë zyrtarëve të Komisionit Evropian, por, sipas raportimit, nuk mori mbështetjen e mjaftueshme për të kaluar në fazën tjetër.

ByteDance, kompania kineze që kontrollon TikTok-un, e ka kundërshtuar këtë version, duke thënë se nuk ka pasur negociata zyrtare për shitjen e një pjese të veprimtarisë evropiane të platformës.

Megjithatë, Axel Springer ka pranuar se është i interesuar për një zgjidhje evropiane sa i përket pronësisë së TikTok-ut, sipas Financial Times.

Nisma gjermane vjen pas riorganizimit të biznesit të TikTok në Shtetet e Bashkuara. Atje u ngrit një model i ri pronësie, me synimin për t’iu përgjigjur shqetësimeve të sigurisë kombëtare lidhur me ndikimin dhe kontrollin kinez mbi platformën.

Marrëveshja në SHBA, e cila është raportuar se kap vlerën e 14 miliardë dollarëve, përfshiu një konsorcium të drejtuar nga Oracle.

Döpfner ka deklaruar më herët se kontrolli mbi TikTok-un duhet t’u besohet aksionarëve nga vende demokratike, pasi ka paralajmëruar për mundësinë që platforma të shfrytëzohet për propagandë.

Një investim i mundshëm i Axel Springer në operacionet evropiane do të kishte si qëllim ndryshimin e pronësisë së platformës dhe jo vendosjen e kufizimeve ndaj përdoruesve.

Axel Springer renditet ndër grupet më të mëdha mediatike në Evropë. Në portofolin e tij bëjnë pjesë Politico, The Telegraph, Bild dhe Die Welt.

Përmes blerjeve dhe investimeve në industrinë mediatike, grupi ka forcuar shtrirjen jashtë Gjermanisë. Një pjesëmarrje në TikTok do të shënonte zgjerim të mëtejshëm drejt sektorit të platformave digjitale.

Deri tani, megjithatë, propozimi nuk ka sjellë hapjen e një procedure zyrtare për blerje, ndërsa ByteDance vazhdon të mohojë se janë zhvilluar negociata për këtë çështje.


Shtuar më 22.10.2026 14:40