Macron paralajmëron ndalimin e protestave të paligjshme dhe akuzon të majtën ekstreme për trazirat në Francë

Emmanuel Macron njoftoi të enjten se autoritetet franceze do të ndalojnë protestat e cilësuara si “të paligjshme” gjatë ditëve të ardhshme. Presidenti fajësoi grupet e së majtës ekstreme dhe vandalët për grabitjet dhe trazirat e regjistruara fundjavën e kaluar.

Pas bisedimeve me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe ministrat kryesorë të qeverisë, Macron sqaroi se tubimet e thirrura nga sindikatat dhe organizata të tjera do të lejohen. Megjithatë, për mbrojtjen e bizneseve, autoritetet mund t’i zhvendosin ato drejt akseve alternative.

Të lidhura

None found

“Të shtunën e kaluar patëm akte politike dhe kryengritëse nga grupe të së majtës ekstreme, që synojnë rrëzimin e Republikës”, deklaroi presidenti francez.

Qëndrimi i Macron vjen ndërsa institucionet në të gjithë vendin po forcojnë përgatitjet për protesta të tjera, pas një prej periudhave më të rënda të trazirave urbane në vitet e fundit.

Autoritetet vendore kanë ndaluar të gjitha protestat e parashikuara të shtunën në Lion, qyteti i dytë më i madh i Francës. Pavarësisht këtij vendimi, organizatorë të ndryshëm po planifikojnë tubime të reja, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për mundësinë e tensioneve dhe dhunës gjatë fundjavës.

Mes organizatorëve janë edhe sindikatat kryesore studentore të vendit, përfshirë UNEF-in, të cilat kanë bërë thirrje për protesta të shtunën. Në të njëjtën kohë, lëvizja “Jelekët e Verdhë”, e krijuar në vitin 2018 si një forcë kundër establishmentit politik, ka kërkuar leje për një marshim në qendër të Parisit.

Frika nga përshkallëzimi i situatës ka bërë që bizneset në zonat qendrore të Parisit të mbrojnë vitrinat me dërrasa. Kompania e produkteve luksoze Hermes njoftoi gjithashtu se ka rritur masat e sigurisë në dyqanet e saj në Francë.

Edhe në qytetin verior të Orleanit po merren masa për përballimin e trazirave të mundshme. Atje, Tubimi Kombëtar, partia e së djathtës ekstreme, pritet të zhvillojë takimin vjetor, ndërsa sindikatat dhe grupet e majta kanë paralajmëruar demonstrata.

Një protestë studentore e planifikuar për të enjten në Paris u ndalua nga autoritetet. Për të parandaluar grumbullimet e paautorizuara, shërbimet e transportit mbyllën disa stacione metroje në qendër të kryeqytetit.

Trazirat e rënda urbane nisën më 17 tetor në Francë, në një periudhë kur vendi po përballej edhe me protesta mbarëkombëtare. Përplasjet nxorën në pah pakënaqësinë e madhe publike dhe ngritën shqetësime për aftësinë e forcave të sigurisë për të ruajtur rendin.

Sipas zyrtarëve francezë dhe raportimeve të mediave, dy persona janë arrestuar në lidhje me një sulm me zjarr ndaj bashkisë së Limoges.

Ndërkohë, nata e tretë radhazi e orës policore lokale në zonat e prekura nga dhuna përfundoi pa incidente madhore. Kjo i dha qeverisë një lehtësim të përkohshëm përpara ditëve të tensionuara që priten gjatë fundjavës.

Pas dhunës që u shfaq në rrugë qëndron një pakënaqësi më e gjerë sociale. Rritja e çmimeve të energjisë, vështirësitë e familjeve për të përballuar shpenzimet dhe frika për rënien e cilësisë së shërbimeve publike kanë shtuar zemërimin e punonjësve dhe të rinjve.

Përplasja politike është ashpërsuar gjithashtu, pasi qeveria akuzon grupet politike të së majtës radikale se po nxisin trazirat.

Pasojat e tensioneve sociale dhe politike janë ndier edhe në tregjet financiare. Të enjten, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë franceze kaloi mbi atë të obligacioneve amerikane me të njëjtin afat maturimi, për herë të parë që nga viti 2013.

Zhvillimet e fundit e vendosin qeverinë franceze nën presion të shtuar, teksa ajo përpiqet të garantojë rendin publik, të përballojë pakënaqësinë sociale dhe të parandalojë përkeqësimin e situatës përpara protestave të paralajmëruara për fundjavën.


Shtuar më 22.10.2026 18:12