Albian Hajdari pritet të qëndrojë jashtë fushave për disa muaj, ndërsa rikthimi i mbrojtësit të Hoffenheimit parashikohet në fund të janarit. Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin menaxheri i tij, Sascha Fischer.
Qendërmbrojtësi u dëmtua gjatë grumbullimit me Kosovën në muajin shtator dhe u kthye në klubin gjerman për të vijuar rehabilitimin. Mirëpo, pikërisht kur ishte pranë rikthimit në stërvitje dhe ndeshje, ai pësoi një tjetër lëndim.
Të lidhura
None found
Gjatë një seance stërvitore me Hoffenheimin, Hajdari pësoi një çarje të pjesshme në shputën e këmbës, dëmtim që e detyroi t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas Fischerit, futbollisti kosovar ka nevojë për pushim dhe trajtim të vazhdueshëm për shkak të dëmtimit në shputë.
“Gjuri i tij është i fashuar, pasi po përpiqemi ta mbrojmë dhe t’i mundësojmë sa më shumë pushim. Aktualisht po ndjek programin e rehabilitimit. Siç mund ta kujtosh, ai kishte pasur shqetësime edhe gjatë kohës me Kombëtaren”.
“Në lidhje me këmbën, ai ka një çarje të pjesshme të fascies plantare, ndaj duhet të pushojë dhe të marrë trajtimin e duhur”.
I pyetur për datën e mundshme të rikthimit, menaxheri Fischer deklaroi: “Shpresojmë që kjo të ndodhë në fundin e janarit”.
Çfarë nënkupton çarja e pjesshme e fascies plantare?
Një dëmtim i tillë zakonisht shkakton dhimbje të forta në shputë, veçanërisht në zonën e thembrës ose në pjesën e mesme të saj. Futbollisti mund të ketë vështirësi në vrapim, kërcim dhe gjatë ndryshimit të drejtimit.
Kohëzgjatja e rikuperimit varet nga përmasat dhe vendndodhja e çarjes. Në varësi të rastit, lëndimi mund të kërkojë disa javë ose muaj, siç po ndodh edhe me yllin e Kosovës.
Hoffenheimi ia kushtoi Hajdarit fitoren ndaj Monchengladbachut
Hajdari ka rol të rëndësishëm jo vetëm te Kosova, por edhe në radhët e Hoffenheimit.
Që prej transferimit te skuadra gjermane, ai ka qenë pjesë e rregullt e formacionit titullar, ndërsa në disa raste është aktivizuar edhe si mbrojtës i djathtë.
Pas fitores së fundit kundër Borussia Monchengladbachut, Hoffenheimi ia dedikoi suksesin futbollistit kosovar.
“Albi, shërim të shpejtë”, shkruhej në postimin e klubit, ku lojtarët e Hoffenheimit shfaqeshin me fanellën e Hajdarit.
Hajdari, mungesa kryesore e Kosovës në nëntor
Kosova do të luajë dy ndeshje gjatë muajit nëntor dhe mungesa e Hajdarit do të jetë një nga problemet kryesore për përfaqësuesen.
Ndërkohë, lajm pozitiv për ekipin është rikthimi i Lumbardh Dellovës dhe Kreshnik Hajrizit, të cilët janë rikuperuar nga dëmtimet e pësuara përkatësisht me Amedsporin dhe Sionin.
Në repartin e mbrojtjes mund të ketë edhe ndryshime të tjera, ku mundësi për përfshirje janë kapiteni i Zurichut, Lindrit Kamberi, si dhe lojtari i Sturm Grazit, Albert Vllaci. Të dy kanë qenë më herët pjesë e planeve të përzgjedhësit Franco Foda.
Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor, ndërsa tri ditë më vonë do të udhëtojë në Dublin për ndeshjen kundër Irlandës.//







