Rasti i parë njerëzor i virusit Shamonda në Francë, pacienti ndërron jetë

Për herë të parë në Francë, virusi Shamonda, i cili zakonisht prek bagëtinë dhe transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të vogla të gjinisë Culicoides, është konstatuar te një njeri.

Pacienti, që vuante nga një imunitet i rëndë i kompromentuar, vdiq në fillim të tetorit në një spital në Lion.

Të lidhura

None found

Një deklaratë e përbashkët e Ministrive franceze të Shëndetësisë dhe Bujqësisë e cilësoi rastin si të jashtëzakonshëm, sepse megjithëse virusi ka qarkulluar në Afrikë dhe Azi për disa dekada, deri tani nuk kishte asnjë raportim infeksioni te njerëzit.

Në Francën lindore, ku virusi qarkullon te kafshët gjatë pranverës dhe verës, u regjistrua ky rast. Autoritetet bënë me dije se pacienti kishte shfaqur komplikime cerebrale përpara vdekjes, të cilat mund të lidhen me infeksionin.

Megjithatë, autoritetet franceze theksojnë se njohuritë aktuale për virusin nuk tregojnë ndonjë rrezik për shëndetin e popullatës së përgjithshme.

Për të sqaruar më tej rastin dhe lidhjen e mundshme mes virusit dhe komplikimeve, autoritetet kanë nisur hetime klinike, biologjike dhe epidemiologjike, duke zbatuar qasjen “Një Shëndet”, e cila konsideron lidhjen mes shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve janë vënë në dijeni për rastin.

Për herë të parë, virusi Shamonda u identifikua në Nigeri në mesin e viteve 1960; që atëherë, ai është raportuar herë pas here te bagëtitë në Afrikën Perëndimore, Lindore dhe Jugore, si dhe në Japoni.

Gjatë verës së këtij viti, virusi u zbulua edhe në Evropë, përfshirë Francën, në tufat e bagëtive. Infeksione sporadike janë konstatuar gjithashtu te ripërtypësit e vegjël dhe kuajt.

Ndër speciet shtazore që mund të infektohen, bagëtia konsiderohet strehuesi kryesor i virusit.

Megjithëse ky është rasti i parë i konfirmuar te njeriu, autoritetet franceze nënvizojnë se aktualisht nuk ka prova për një rrezik të përgjithshëm për popullatën, ndërsa hetimet për rastin e regjistruar vazhdojnë.


Shtuar më 22.10.2026 14:40