Protesta studentore para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 10-të, ndërsa qytetarët vijojnë të qëndrojnë në zonën përpara godinës edhe pasditen e kësaj të enjteje. Pas disa orësh qetësie, situata u tensionua pak minuta më parë.
Forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë protestuesit me ujë, duke i detyruar ata të largohen përkohësisht. Megjithatë, pas tërheqjes, protestuesit janë rikthyer dhe janë mbledhur sërish.
Të lidhura
None found
Të rinjtë e nisën protestën në orën 09:00 para Parlamentit, ndërsa një orë më vonë filloi seanca plenare, e cila u shoqërua me debate dhe tensione. Më pas, ata njoftuan se do të protestonin sërish përpara Kryeministrisë.
Përmes një thirrjeje publike të publikuar në rrjetet sociale, qytetarët janë ftuar të mblidhen në shesh të shtunën, më 24 tetor. Mesazhi i kësaj proteste është përcjellë me sloganin “Të shtunën, të gjithë në shesh!”.
Sipas njoftimit, grumbullimi do të zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Organizatorët e kanë cilësuar tubimin si një protestë rinore, popullore dhe të diasporës.







