Këtë të hënë në Tiranë, pritet të mbahet sot protesta e 79-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Tubimi pason protestën e zhvilluar një ditë më parë, kur mijëra qytetarë u mblodhën dhe marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit.
Dorëheqja e kryeministrit vijon të jetë kërkesa kryesore e pjesëmarrësve. Thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Atdheu nuk shitet!” janë kthyer në mesazhe të përsëritura gjatë protestave të përditshme.
Të lidhura
None found
Gjatë protestës së 78-të, pjesa e fjalimeve përfundoi me thirrjen “Nesër më shumë”, përpara se qytetarët të nisnin marshimin përgjatë bulevardeve të Tiranës.
Tubimit iu bashkuan gjithashtu shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët prej disa ditësh po marrin pjesë në protestat e kryeqytetit.
Protesta e sotme zhvillohet pas më shumë se dy muajsh qëndresë të përditshme. Në tubimet e fundit, qytetarët kanë pohuar se protestat do të vazhdojnë derisa të përmbushen kërkesat e tyre politike.
Protestuesit pritet të përshkojnë akset kryesore të Tiranës dhe më pas të rikthehen përpara Kryeministrisë. Largimi i qeverisë dhe ndryshimi politik mbeten në qendër të protestës.
Tubimet kundër qeverisë po zhvillohen prej javësh, ndërsa përfshirja e diasporës është shndërruar ditët e fundit në një prej elementeve kryesore të protestave në Tiranë.
