Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e kabinave elektrike të vendosura pranë rrugëve në Sarandë, duke paralajmëruar për rrezikun që ato mund të paraqesin për qytetarët gjatë temperaturave të larta.
Në një reagim publik, ajo ka ironizuar mënyrën e mirëmbajtjes së këtyre kabinave, ku janë vendosur freskuese për të parandaluar mbinxehjen, ndërsa u ka kërkuar institucioneve të ndërhyjnë menjëherë.
Të lidhura
None found
Sipas Zhupës, situata është njëkohësisht e dhimbshme dhe qesharake, pasi tregon gjendjen në të cilën është katandisur shteti.
Ajo thekson se kabinat elektrike ndodhen buzë rrugëve, në mes të Sarandës, ndërsa në kushtet e temperaturave të larta “teknologjia moderne” duket se përbëhet nga dy freskuese të vendosura brenda tyre, me qëllim shmangien e mbinxehjes, defekteve apo edhe ndonjë shpërthimi.
“Në cilin standard europian mund të gjendet një zgjidhje e tillë? Apo në cilin nivel të ‘mirëmenaxhimit’ që propagandon Gonxhja, bashkë me ‘vizionin’ e Cacit të bashkisë?”, shprehet deputetja.
Zhupa nënvizon se, përtej pamjes absurde, bëhet fjalë për një problem serioz sigurie. Kabinat elektrike të vendosura në hapësira urbane duhet të respektojnë standarde të qarta teknike, të mirëmbahen dhe të jenë të siguruara për mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve përreth.
“Nuk mund të presim një incident, zjarr apo tragjedi që institucionet të kujtohen të ndërhyjnë”, deklaron ajo.
Deputetja kërkon marrjen e masave të menjëhershme dhe zhvillimin e një inspektimi urgjent të kabinave elektrike në Sarandë. Sipas saj, duhet të verifikohet gjendja teknike, standardi i sigurisë dhe kapaciteti i tyre për të përballuar temperaturat e larta.
