Kontrollet e Policisë së Tiranës janë përforcuar gjatë dy ditëve të fundit në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit, ku janë verifikuar qindra qytetarë e automjete.
Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë, ka kryer kontrolle të befasishme për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë.
Të lidhura
None found
Operacioni është përqendruar te evidentimi i armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të lëndëve narkotike, kapja e personave të shpallur në kërkim, si dhe kontrolli i automjeteve luksoze, të blinduara, me xhama të errësuar përtej normave të lejuara apo të modifikuara në mënyrë që shkaktojnë zhurma shqetësuese.
Gjatë 48 orëve të fundit janë kontrolluar dhe verifikuar 131 automjete dhe 213 shtetas.
Pesë persona dhe automjete janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme.
Ndërkohë, 7 shtetas janë arrestuar ose proceduar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, drejtim pa leje drejtimi ose shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Shërbimet e policisë kanë vendosur gjithsej 3012 masa administrative. Ato lidhen me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit, tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, mosvendosjen e rripit të sigurimit, xhamat e zinj të riveshur, mosdhënien e përparësisë qytetarëve, parakalimet e gabuara dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, janë bllokuar 34 mjete për shkelje të ndryshme, ndërsa janë tërhequr 9 leje qarkullimi.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me synim rritjen e sigurisë publike dhe rrugore, parandalimin e paligjshmërive dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.
