Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar sërish në rrjetet sociale për protestat masive antiqeveritare, të cilat kanë vijuar prej 77 ditësh në vend. Sipas saj, kjo lëvizje ka ndihmuar qytetarët të kuptojnë se hapësira publike dhe çështjet e përbashkëta u përkasin të gjithëve.
Koçeku, e cila pak muaj më parë u largua nga GPS, ka kritikuar edhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama dhe të përfaqësuesve të tjerë të kësaj force politike. Ajo shprehet se tashmë është bërë e dukshme përplasja mes kulturës së re politike, të mishëruar nga protesta, dhe politikës së vjetër, e cila vijon ta përqeshë dhe ta injorojë qytetarin.
Të lidhura
None found
Deputetja shkruan se 77 ditë protestë kanë mjaftuar për të krijuar një vetëdije që politika e 35 viteve nuk arriti ose nuk deshi ta ndërtonte: bindjen se publiku dhe e përbashkëta janë përgjegjësi e të gjithëve dhe se qytetari nuk duhet të mbetet spektator, por të marrë rolin e protagonistit në vendin e tij.
Sipas Koçekut, kjo periudhë ka shërbyer edhe për të formësuar një mënyrë të re të shprehjes politike, ku pjesëmarrja qytetare, morali publik dhe përgjegjësia nuk janë thjesht pjesë e fjalimeve, por qëndrime konkrete dhe pjesë e identitetit të individit brenda komunitetit dhe vendit ku jeton.
Ajo e përshkruan si të thellë diferencën mes brezit të ri dhe politikës së vjetër: ndërsa i pari po zgjohet dhe po dëshmon një kulturë të re, e dyta vazhdon ta përqeshë qytetarin dhe refuzon ta dëgjojë.
