Një mision i ri japonez drejt hënave të Marsit synon të hedhë dritë mbi origjinën e Sistemit Diellor. Sonda MMX pritet të niset në muajt e ardhshëm nga Qendra Hapësinore Tanegashima dhe të qëndrojë për rreth tre vjet në orbitën e Planetit të Kuq.
Të lidhura
None found
Gjatë misionit, MMX do të zbresë në Phobos, ku synon të mbledhë të paktën 10 gramë material nga sipërfaqja e kësaj hëne. Roboti franko-gjerman IDEFIX do të angazhohet në vëzhgime, ndërsa sonda do të studiojë nga larg edhe Deimosin, hënën tjetër të Marsit.
Kapsula që do të transportojë mostrat pritet të mbërrijë në Tokë, në Australi, rreth vitit 2031. Analizat e materialeve mund t’u ndihmojnë shkencëtarëve të kuptojnë nëse Phobos dhe Deimos u krijuan pas përplasjes së Marsit me një trup qiellor apo nëse janë asteroide të kapura nga graviteti i planetit.
Studimi i këtyre mostrave mund të japë të dhëna edhe për mënyrën se si uji dhe përbërjet organike arritën te planetët shkëmborë, duke krijuar kushtet e nevojshme për shfaqjen e jetës. Me këtë projekt, Japonia garon me Kinën, e cila synon të sjellë mostra nga vetë Marsi po rreth vitit 2031.
