Megjithëse nga koha e krijimit të “Odisesë” kanë kaluar gati tre mijë vjet, një prej parimeve morale të këtij eposi të Homerit mbetet ende i rëndësishëm për shoqërinë moderne. I njohur si “Ligji i Zeusit”, ai lidhej me respektin ndaj të huajve, mikpritjen dhe drejtësinë, ndërsa shkelja e tij besohej se sillte ndëshkimin e perëndive.
Të lidhura
None found
Ky parim është një prej ideve qendrore të filmit të ri “Odisea”, me regji të Christopher Nolan. Sipas regjisorit, shumë prej ngjarjeve të rrëfyera në vepër shpjegohen përmes një rregulli themelor: të panjohurit duhen trajtuar me respekt.
“Ligji i Zeusit” nuk ishte një ligj i shkruar, siç kuptohen ligjet në ditët e sotme. Ai përfaqësonte një kod moral nën mbrojtjen e Zeusit, hyjnisë supreme të grekëve, dhe përfshinte detyrime që kishin të bënin me mikpritjen, betimet, drejtësinë dhe sjelljen ndaj të huajve.
Thelbi i këtij sistemi ishte “ksenia”, një normë e shenjtë sipas së cilës nikoqiri duhet t’i siguronte çdo mysafiri ushqim, strehë dhe mbrojtje, pa marrë parasysh identitetin apo vendin nga vinte.
Në një intervistë për “Los Angeles Times”, Christopher Nolan e lidhi këtë parim me atë që sot njihet si “rregulli i artë”.
“Është rregulli i artë: sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty. Pjesërisht sepse një njeri i zakonshëm mund të jetë një perëndi e maskuar, por edhe sepse vetëm kështu një shoqëri mund të funksionojë. Njerëzit duhet të udhëtojnë, të tregtojnë dhe shpesh varen nga mirësia e njerëzve krejtësisht të panjohur”, ka deklaruar Nolan, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, detyrimet e “ksenisë” nuk u përkisnin vetëm nikoqirëve. Edhe mysafiri duhej të sillej me maturi dhe respekt ndaj atij që e kishte pranuar.
Një i ftuar që përfitonte nga bujaria, zgjaste qëndrimin përtej kufijve të hijeshisë ose sillej keq me nikoqirin, konsiderohej shkelës i një norme të shenjtë dhe mund të përballej me ndëshkim.
“Keqpërdorimi i këtij rregulli ka pasoja të tmerrshme. Çdo hakmarrje ka çmimin e vet dhe dhuna është shprehja më e drejtpërdrejtë e saj”, është shprehur Nolan.
Për këtë arsye, një pjesë e madhe e ngjarjeve në “Odise” paraqiten si rezultat i respektimit ose i shkeljes së këtij kodi të lashtë.
Mbretit Menelau i atribuohet një prej shembujve më të qartë të mikpritjes ideale. Kur Telemaku shkon në Spartë për të mësuar më shumë për të atin, Odiseun, ai pritet me nderim, ushqehet, merr informacione të rëndësishme dhe në fund përcillet me dhurata.
Për shoqërinë e lashtë greke, kjo ishte mënyra e përsosur se si duhej trajtuar një mysafir.
Një figurë krejtësisht e kundërt është Polifemi. Kur udhëtarët hyjnë në shpellën e tij, ciklopi nuk u ofron strehim apo mbrojtje, por i sulmon dhe i ha. Kjo përbënte një nga shkeljet më të rënda të “Ligjit të Zeusit”.
Pasojat nuk vonojnë. Odiseu e verbon Polifemin dhe, pavarësisht se ciklopi ishte biri i Poseidonit, ai nuk i shpëton ndëshkimit.
Një tjetër shembull i rëndësishëm është Eumeu, bariu i thjeshtë i derrave. Kur Odiseu kthehet në shtëpi pas endjeve të gjata, i maskuar si lypës, Eumeu e pret pa e ditur identitetin e vërtetë të tij.
Ai i siguron ushqim, strehim dhe kujdes, pa kërkuar asgjë në këmbim. Kjo sjellje e bën Eumeun një prej personazheve më të ndershme dhe fisnike të eposit.
Por “Odisea” tregon se jo gjithmonë fajtor ishte nikoqiri. Kur shokët e Odiseut mbërrijnë në ishullin e magjistares Kirke, ata marrin mikpritje, por më pas e teprojnë me ushqimin dhe pijen dhe nuk tregojnë respektin e duhur.
Si ndëshkim, Kirke i shndërron në derra, në një prej skenave më të njohura të mitologjisë greke.
Një nga rastet më domethënëse shfaqet që në fillim të rrëfimit. Telemaku pranon në shtëpi një udhëtar të panjohur, i shërben ushqim dhe vetëm më pas e pyet për identitetin e tij.
Më vonë mësohet se mysafiri ishte perëndesha Atena, e cila ishte shfaqur e maskuar si një njeri i zakonshëm.
Kjo ngjarje e përmbledh mesazhin e “Odisesë”, i cili mbetet i kuptueshëm edhe sot: askush nuk mund ta dijë me siguri se kush ndodhet përballë tij, ndaj respekti për të panjohurin është shumë më tepër se një akt i thjeshtë mirësjelljeje.
Për grekët e lashtë, “Ligji i Zeusit” ishte një rregull themelor i jetës dhe jo vetëm një normë sjelljeje. Sipas tij përcaktohej se kush do të gëzonte favorin e perëndive dhe kush do të përballej me ndëshkimin e tyre.
