Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për përdorimin e qëllimshëm të dronëve kundër popullsisë civile, një praktikë që presidenti ukrainas e përshkroi si “safari njerëzor”.
Të lidhura
None found
Deklarata e tij pasoi publikimin e pamjeve që tregojnë një dron rus duke ndjekur një shitës ambulant në Kherson. Mjeti fluturues shpërthen më pas pranë tij dhe e lë të plagosur.
“Këtë duhet ta shohë bota. Rusia ka humbur arsyen, ndërsa ushtarët e saj gjejnë kënaqësi te vrasja dhe keqtrajtimi i civilëve”, deklaroi Zelensky.
Kreu i shtetit ukrainas tha se personat përgjegjës për sulmin nuk kanë treguar pendesë. Sipas tij, ata madje janë krenuar publikisht për atë që kanë bërë.
Zelensky kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të shtojë presionin mbi Moskën. Ai paralajmëroi se një paqe afatgjatë nuk mund të arrihet pa reduktuar aftësitë ushtarake të Rusisë dhe pa vendosur garanci konkrete sigurie.
“Mbrojtja e jetës kërkon që ne të qëndrojmë të palëkundur dhe ta detyrojmë Rusinë ta marrë seriozisht paqen, në vend që të mendojë për zgjerimin e sulmeve me dronë”, u shpreh ai.
