Pediatria e Spitalit Rajonal të Vlorës po përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve, situatë e lidhur me temperaturat e larta të verës dhe shtimin e turistëve në qytet.
Të lidhura
None found
Mjekja e pavijonit, Rita Llanaj, bën të ditur se gjatë kësaj periudhe kryhen dhjetëra kontrolle çdo ditë.
Në Pediatri regjistrohen rreth 70-80 vizita në ditë dhe 35 shtrime. Rastet më të shpeshta lidhen me virozat sezonale, problemet respiratore, alergjitë dhe pickimet nga insektet te fëmijët.
Mes pacientëve, sipas mjekes, gjenden edhe shumë fëmijë nga qytete të tjera, si dhe turistë që po pushojnë në Vlorë. Ata kërkojnë ndihmë mjekësore për simptoma të ndryshme, të shkaktuara kryesisht nga temperaturat e larta dhe ekspozimi në mjedis.
Bluzat e bardha rekomandojnë që fëmijët të mos qëndrojnë në diell gjatë orëve të pikut. Prindërit duhet të drejtohen menjëherë për ndihmë mjekësore nëse të vegjlit kanë temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje ose shenja të tjera shqetësuese.
