Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar festën e Ilindenit, duke vlerësuar se vendi po largohet nga parimet e barazisë, respektit dhe bashkëjetesës, të mishëruara në idealin e Manifestit të Krushevës.
Të lidhura
None found
Në mesazhin e tij, Ahmeti e cilëson Marrëveshjen Paqësore të Ohrit si vazhdimësinë moderne të frymës së Manifestit të Krushevës, por pretendon se vazhdimisht po tentohet dobësimi i saj.
Sipas tij, drejtimi që po merr vendi ngre shqetësime për shkak të veprimeve të pushtetit aktual, mes të cilave ai rendit sulmet ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe anulimin e mekanizmave për sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Mesazhi i plotë i Ali Ahmetit me rastin e Ilindenit:
Data 2 Gusht na kujton një prej idealeve më fisnike të historisë sonë të përbashkët: liria nuk mund të ngrihet mbi epërsinë e njërit ndaj tjetrit, por vetëm mbi respektin, barazinë dhe bashkëjetesën. Fryma e Krushevës përçoi thirrjen për ndërtimin e një shteti ku shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha bashkësitë të kenë përgjegjësi të përbashkët dhe të ndajnë të njëjtin fat.
Për fat të keq, më shumë se një shekull më vonë, ne nuk po i afrohemi këtij ideali, por po largohemi gjithnjë e më shumë prej tij. Partneriteti po zëvendësohet nga rikthimi i mendësisë së dominimit, ndërsa përjashtimi po thellohet në vend të gjithëpërfshirjes. Shqiptarët po shtyhen në margjina në institucionet shtetërore, administratë, diplomaci, siguri, drejtësi, arsim, kulturë, shëndetësi dhe ekonomi, si dhe në proceset vendimmarrëse që përcaktojnë të ardhmen e shtetit.
Edhe Marrëveshja Paqësore e Ohrit, e cila përfaqëson vazhdimësinë bashkëkohore të frymës së Manifestit të Krushevës, po vihet përballë përpjekjeve të pandërprera për ta zbehur atë.
Drejtimi i vendit po shoqërohet me sinjale alarmuese, si goditjet ndaj përdorimit zyrtar të shqipes, shfuqizimi i mekanizmit që siguronte përfaqësim të drejtë dhe adekuat, sulmi dhe dobësimi i mekanizmit mbrojtës nga majorizimi, shpërfillja e realitetit të dalë nga regjistrimi i popullsisë, drejtësia selektive dhe promovimi i një modeli monoetnik të shtetit.
Akoma më shqetësues mbetet fakti se zbatimi i këtyre politikave po bëhet i mundur me përkrahjen e disa përfaqësuesve shqiptarë. Në vend që të ruajnë dinjitetin dhe vullnetin e qytetarëve të cilët pretendojnë se i përfaqësojnë, ata kanë vendosur t’i nënshtrohen pushtetit. Ata nuk mund të përfaqësojnë zërin e barazisë pa pasur legjitimitetin e popullit dhe guximin e nevojshëm për mbrojtjen e interesit kombëtar.
Pavarësisht kësaj, orientimi i shqiptarëve mbetet i pandryshuar. Zgjedhja jonë është një Maqedoni e Veriut e përbashkët, unitare, demokratike dhe evropiane, në të cilën askush nuk trajtohet si më pak i vlefshëm se tjetri dhe shteti u takon në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarëve. Vetëm kjo rrugë çon drejt një shteti të drejtë, të konsoliduar në NATO dhe të integruar në Bashkimin Evropian.
Në këtë ditë me domethënie simbolike, duhet të mos harrojmë se e ardhmja nuk mund të krijohet përmes frikës, përjashtimit apo ndarjeve. Ajo ndërtohet kur vendin nuk e konsiderojmë pronë të njërit ose të tjetrit, por atdhe të përbashkët. Një shtet i fuqishëm dhe një e ardhme e sigurt për të gjithë mund të ngrihen vetëm mbi barazinë, respektin e ndërsjellë dhe partneritetin e sinqertë.
