Grupi i përbashkët i punës i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë zhvilloi sot në Sofje takimin e tij të parë, me fokus përgatitjen dhe realizimin e projektit për ndërtimin e tunelit të përbashkët hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8.
Të lidhura
None found
Sipas Marrëveshjes, drejtimi i grupit iu besua zëvendësministrave të transportit të të dyja shteteve. Maqedonia e Veriut u përfaqësua në bashkëkryesim nga zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ndërsa nga pala bullgare këtë rol e kishte zëvendësministrja Cveta Timeva.
Pjesë e grupit, krahas bashkëkryesueses Kaltrina Zekolli Shaqiri, ishin përfaqësues të Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga Ndërmarrja Publike për Infrastrukturë Hekurudhore dhe Hekurudhat Transport SHA – Shkup.
Gjatë diskutimeve u shqyrtuan veprimtaritë kryesore që kanë të bëjnë me përgatitjen dhe ndërtimin e tunelit ndërkufitar. Përfaqësuesit e të dyja vendeve rikonfirmuan gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin dhe për të forcuar koordinimin e ndërsjellë në secilën fazë të zbatimit të projektit.
Në cilësinë e bashkëkryesueses, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cilësoi tunelin hekurudhor ndërkufitar si një investim strategjik me rëndësi për rajonin. Sipas saj, projekti do të mundësojë lidhjen hekurudhore mes dy vendeve, do ta bëjë më të shpejtë dhe më efikas transportin e udhëtarëve dhe mallrave, si dhe do të hapë mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.
Palët ranë dakord të hartojnë një dinamikë të përcaktuar qartë për aktivitetet, të caktojnë përgjegjësitë konkrete të institucioneve kompetente në të dyja vendet dhe të vijojnë së bashku përgatitjet teknike për realizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar.
Grupi i punës përcaktoi edhe veprimet që duhet të ndërmerren për sigurimin e mbështetjes financiare dhe koordinimin teknik. Në të njëjtën kohë, anëtarët konfirmuan synimin e përbashkët për ta përshpejtuar zbatimin e këtij projekti strategjik të infrastrukturës.
Përfaqësuesit e të dyja palëve vlerësuan se Korridori 8 është një prej korridoreve më të rëndësishme evropiane të transportit, duke vënë në dukje edhe përkrahjen e fuqishme të Komisionit Evropian për realizimin e tij.
Në bazë të konkluzioneve të miratuara, takimi i ardhshëm i grupit të përbashkët të punës do të organizohet në Shkup. Në atë takim do të shqyrtohet ecuria e aktiviteteve për të cilat është arritur marrëveshje dhe do të përcaktohen veprimet e mëtejshme për zbatimin e projektit.
Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Transportit, vazhdon të jetë tërësisht e angazhuar për realizimin e projekteve strategjike infrastrukturore dhe zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore, me synim përmirësimin e lidhjeve rajonale dhe integrimin në rrjetin evropian të transportit.
