Organizatat e krimit të organizuar po përdorin gjithnjë e më shpesh adoleshentë për realizimin e atentateve dhe sulmeve të dhunshme, duke përhapur një fenomen të ri kriminal në disa vende të Evropës.
Të lidhura
None found
Në qendër të akuzave është rrjeti suedez Foxtrot, i cili dyshohet se i afron të rinjtë nëpërmjet rrjeteve sociale, duke u ofruar para dhe duke i orientuar përmes aplikacioneve të komunikimit. Autoritetet thonë se procesi paraqitet në formën e një “loje”, ku të rekrutuarit marrin detyra dhe udhëzime të njëpasnjëshme.

Rasti i suedezit Atilla Azimov ka shkaktuar shqetësim të madh mes autoriteteve. 18-vjeçari u dënua me burgim të përjetshëm, pasi vrau gabimisht një 20-vjeçar në periferi të Stokholmit. Hetimet treguan se ai ishte angazhuar nga rrjeti Foxtrot kundrejt një pagese financiare.
Që prej vitit 2022, Foxtrot dyshohet nga autoritetet suedeze për përfshirje në dhjetëra vrasje dhe sulme. Nga hetimet kanë dalë gjithashtu lidhje të dyshuara me interesa të regjimit iranian në disa operacione të zhvilluara në Evropë.
Një episod tjetër lidhet me norvegjezin Johannes Natland, i dënuar për planifikimin e një vrasjeje në Britaninë e Madhe. Sipas hetuesve, kontakti me të ishte vendosur në internet, ndërsa më pas i ishin dhënë informacione për armët dhe vendndodhjen e objektivit. Ai u arrestua përpara se ta realizonte sulmin.

Europoli bën të ditur se praktika e quajtur “Vrasja si shërbim” (Violence as a Service – VaaS) po shtrihet në një numër gjithnjë e më të madh shtetesh evropiane. Për hetimin e rrjeteve që shfrytëzojnë të rinj të cenueshëm për veprimtari kriminale është krijuar një task-forcë e posaçme me pjesëmarrjen e 11 shteteve.
Sipas paralajmërimeve të ekspertëve, grupet kriminale po e përqendrojnë rekrutimin te personat në moshë të re, sepse manipulohen më lehtë dhe shpesh nuk i marrin parasysh pasojat ligjore të veprimeve të tyre.
Edhe pse disa prej figurave kryesore të Foxtrot janë arrestuar, autoritetet vlerësojnë se skema e përdorimit të adoleshentëve për akte dhune po përvetësohet tashmë edhe nga organizata të tjera kriminale në Evropë.
