Komuna e Vitisë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS), si dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti, kanë reaguar me dënim të ashpër pas sulmit fizik ndaj infermieres B.S., të ndodhur teksa ajo po ushtronte detyrën profesionale.
Të lidhura
None found
Në reagimin e përbashkët, institucionet komunale kanë nënvizuar se dhuna kundër punonjësve të shëndetësisë është e patolerueshme, pasi rrezikon sigurinë në ambientin e punës, cenon dinjitetin e profesionistëve dhe pengon funksionimin e rregullt të sistemit të kujdesit shëndetësor.
“Nuk mund të pranohet dhuna ndaj personave që çdo ditë u shërbejnë qytetarëve. Detyra e punonjësve shëndetësorë është të ofrojnë përkujdesje, ndihmë dhe përkrahje, jo të jenë objekt sulmesh”, kanë deklaruar institucionet komunale.
Mbështetje e plotë i është ofruar infermieres së sulmuar dhe gjithë personelit të QKMF-së. Komuna e Vitisë i ka dëshiruar B.S. shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në vendin e punës.
Po ashtu, organeve kompetente u është kërkuar të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme ligjore për trajtimin e rastit, në mënyrë që personat përgjegjës të përballen me pasojat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Komuna e Vitisë, DSHMS-ja dhe QKMF-ja u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë respekt ndaj profesionistëve shëndetësorë, ndërsa kanë ritheksuar angazhimin për të garantuar një mjedis të sigurt si për stafin, ashtu edhe për qytetarët.
