Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, për lirim nga burgu. Këkesa e tij u hodh poshtë nga gjyqtari Erjon Bani.
Bëhet me dije se Çela kërkoi lirimin e tij me argumentin se nga dita e vendimit në Apel ka kaluar afati 1-vjeçar. Çela është dënuar për pesë vite burg për shpërdorim detyre, ndërkohë që është i pandehur me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Gjykata e Posaçme më 19 maj, vendosi të lë në arrest me burg Çelën, në lidhje me akuzat për shpërdorim detyre dhe favorizimin e grupit kriminal të Habilajve. Pas leximit të masës së sigurisë, avokati i tij u shpreh se klienti nuk ka qenë kurrë në arrati, por ka ndjekur procesin gjyqësor.
Vetë ish-drejtori i Policisë së Vlorës, ka hedhur akuza të forta ndaj Prokurorisë, duke thënë se e donin si “bashkëpunëtor” të ish-ministrit të Brendshëm. Për momentin Çela po mbahet tek burgu “302” në Tiranë, nën masa të rrepta sigurie në një qeli të veçantë, për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm me të burgosurit.