Hasan Hyseni, futbollisti kosovar, ka ndërmarrë një hap të pazakontë në rrugëtimin e tij profesional, duke u transferuar për herë të parë jashtë kontinentit evropian.
Të lidhura
None found
Sulmuesi anësor, i njohur për paraqitjet e spikatura ndër vite në Superligën e Kosovës, ka zgjedhur të provojë veten në kampionatin e Kirgistanit.
Të mërkurën, lojtari nga Mitrovica nënshkroi kontratën me FC Asia, ekip që militon në kategorinë më të lartë të futbollit kirgiz.
Skuadra aziatike e ka pritur me entuziazëm ardhjen e reprezentuesit kosovar, duke theksuar bindjen se ai do të japë një kontribut të çmuar gjatë vazhdimësisë së sezonit.
“Ndjehemi të nderuar që kemi në gjirin tonë një sulmues të ri nga Kosova. I dëshirojmë Hysenit ndeshje plot emocion, paraqitje të shëndetshme, gola spektakolarë dhe suksese madhore me fanellën tonë. Shpresojmë që kjo etapë të rezultojë fitimprurëse si për atë, ashtu edhe për klubin”, thuhet në komunikatën zyrtare të FC Asia.
FC Asia renditet mes formacioneve më konkurruese në elitën e futbollit kirgiz. Momentalisht, skuadra zë vendin e pestë në renditje me 33 pikë të grumbulluara nga 16 takime, teksa kryesuesit i ndajnë 38 pikë.
Hyseni ka mundësi të aktivizohet menjëherë me fanellën e re që në përballjen e radhës, e cila luhet këtë fundjavë.
29-vjeçari i ka dhënë fund eksperiencës me Llapin, ndërsa në të kaluarën ka veshur fanellat e Trepçës ’89, klub ku hodhi hapat e parë si profesionist, të Prishtinës dhe disa ekipeve të tjera të futbollit vendor.
