Kosova është në prag të seancës konstituive të legjislaturës së re dhe të hënën, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka komentuar bisedimet e zhvilluara mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve të dy partive më të mëdha opozitare.
Të lidhura
None found
Sipas tij, takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, rikonfirmoi qëndrimet e palëkundura të kësaj force politike, të cilat ai i cilësoi si qasje të tejkaluara nga e kaluara.
Ndryshe ndodhi me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Konjufca vuri në dukje se përshtypja e përgjithshme ishte se këtë herë ekziston një gatishmëri më e theksuar për të kapërcyer gjendjen aktuale në të cilën ndodhet vendi.
“Nga takimet me PDK-në dhe LDK-në, u bë e qartë se PDK-ja vijon të mbetet në pozicionet e njohura prej kohësh, të cilat u ritheksuan edhe gjatë bisedës me Kurtin. Ndërsa, për sa i përket LDK-së, ne kemi përshtypjen se, ndryshe nga rastet e mëparshme, këtë radhë ka më shumë vullnet për t’ia dalë mbanë këtij momenti. Ka një nivel më të lartë gatishmërie për bashkëpunim dhe mendoj se mundësitë për të arritur një marrëveshje varen drejtpërdrejt nga ky vullnet. Sa më i fortë të jetë vullneti politik dhe gatishmëria për të bashkëpunuar, aq më shumë opsione krijohen për të ndarë përgjegjësitë. Ajo që pamë sidomos pas zgjedhjeve të dhjetorit ishte një bllokim total”, u shpreh Konjufca.
Ai shmangu komentimin e zhvillimeve të brendshme në LDK, por shtoi se cilësia e diskutimit pas takimit të Kurtit me Osmanin dhe Abdixhikun ishte tërësisht ndryshe.
“Sigurisht, LDK-ja ka plotësisht autonominë e saj për çështjet e brendshme. Ne nuk jemi këtu për të komentuar apo këshilluar, sepse LDK-ja është një parti me histori të gjatë dhe besoj se dinë t’i menaxhojnë vetë çështjet e tyre. Megjithatë, për sa i përket bashkëpunimit me ne, më është dukur se pas takimit të Kurtit me Osmanin e Abdixhikun, pati një natyrë tjetër bisede dhe kjo na bën më optimistë se së shpejti mund të gjendet një zgjidhje”, deklaroi ai.
Konjufca përmendi edhe qasjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke theksuar se edhe pse refuzuan ftesën për takim me Kurtin, ata parashtruan kushtet e tyre për një bashkëpunim të mundshëm.

Optimizëm për daljen nga kriza
Analisti Skënder Zogaj kërkon një kthjellim të logjikës nga ana e liderëve politikë.
Në këndvështrimin e tij, vendi ka nevojë jetike për funksionimin e institucioneve dhe në rast të vazhdimit të ngërçit, përgjegjësia bie mbi të gjithë.
“Tej pa marrë parasysh kalkulimet e panumërta partiake, logjika elementare atdhetare e udhëheqjeve politike dhe shtetërore duhet të kthjellohet dhe të kuptojë se Kosova ka nevojë për institucione. Të gjithë do të mbajnë përgjegjësi nëse bllokada vazhdon. Kjo përgjegjësi po rëndohet çdo ditë e më shumë dhe po kthehet në një gijotinë politike e kombëtare, pasi klasa politike nuk guxon të rrezikojë e as të sakrifikojë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vendi gjendet në një krizë të thellë dhe gabimi më i vogël mund të ketë pasoja katastrofike”, deklaroi Zogaj për “Bota sot”.
Zogaj e sheh deklaratën e Konjufcës si një sinjal inkurajues dhe shton se nuk ka rëndësi se kush propozon kë.
Sipas tij, prioriteti absolut është përmbyllja sa më e shpejtë e ndërtimit të institucioneve shtetërore dhe rivendosja e funksionimit normal të shtetit.

“Deklarata optimiste e Glauk Konjufcës për takimet me Abdixhikun dhe Hamzën është një sinjal inkurajues, sepse ngërçi duhet kapërcyer pa asnjë hezitim. Nuk ka shumë rëndësi se kush propozon apo kë propozon. Thelbësore është që sa më parë të përfundojë ngritja e institucioneve dhe shteti të kthehet në normalitet. Duhet të justifikohet sakrifica e popullit dhe investimi i jashtëzakonshëm ndërkombëtar për Kosovën. Vazhdimi i këtij ngërçi është një veprim i turpshëm dhe antikombëtar”, theksoi ai.
Ministri në detyrë i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se Albulena Haxhiu pritet të rikandidojë për kryetare të Kuvendit.
Pavarësisht se kjo temë ende nuk është diskutuar brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ai paralajmëroi se gjithçka do të vendoset në mbledhjen e radhës të Kryesisë.
“Mendoj se ne tashmë e kemi vendosur kryetaren e Kuvendit, ajo është zonja Haxhiu. Dhe besoj se propozimi do të jetë i njëjti”, u tha Konjufca gazetarëve.
‘Çështja kyçe mbetet zgjedhja e presidentit/es’
Ndërsa, analisti Gani Qarri drejton kritika ndaj LDK-së, duke pretenduar se për të bllokuar arritjen e një konsensusi, disa individë brenda saj nxituan dhe zgjodhën qëllimisht një moment kritik për të penguar një formulë konstruktive mes Kurtit dhe Abdixhikut.
“Zhvillimet e brendshme në LDK, që shpërthyen me shpejtësi të paimagjinueshme vetëm pak muaj pas rikonfirmimit të zotit Abdixhiku në krye dhe pikërisht kur ai sinjalizoi përparim në bisedimet me Kryeministrin Kurti për një kompromis të domosdoshëm, na e bëjnë edhe më të qartë se LDK-ja e dr. Ibrahim Rugovës është e infektuar nga elementë destruktivë. Këta individë duan të shkatërrojnë kuptimin e saj si parti institucionale dhe shtetformuese, qoftë edhe me çmimin e përçarjes. Për të sabotuar konsensusin, ata duket se vepruan në mënyrë të planifikuar, duke e goditur formulën konstruktive për kreun e shtetit pikërisht në këtë çast vendimtar. Ky është një akt thellësisht konspirativ që rrezikon të kthehet në një kërcënim serioz për mbarë vendin”, u shpreh Qarri për “Bota sot”.
Ai e sheh LDK-në me vullnet për të kapërcyer bllokadën, por ngre pikëpyetje mbi atë që e quan një “grup enigmatik”.
“Kjo ndodh edhe pse Pas takimeve të Albin Kurtit me Bedri Hamzën, ku PDK-ja mbeti e ngurtësuar, Lumir Abdixhiku tregoi sinjale për lëvizje pozitive. Siç konfirmoi edhe vetë zoti Konjufca, LDK-ja këtë herë ka shfaqur më shumë vullnet për të tejkaluar ngërçin. Duke marrë parasysh seriozitetin e zotit Konjufca, besoj në atë vlerësim. Prandaj është për të ardhur keq dhe mbetet shumë enigmatike se pse ky grup konspirativ brenda LDK-së u aktivizua pikërisht tani, duke inskenuar pretendime për ‘pakënaqësi’ të brendshme aspak të reja, për të zhbërë çdo mundësi marrëveshjeje pikërisht në këtë moment vendimtar”, shtoi ai.
Sipas Qarrit, kandidatura e Haxhiut për kryetare të Kuvendit nuk do të përballet me sfida për votat, por problemi i vërtetë serioz mbetet zgjedhja e presidentit apo presidentes.
“Sa i përket Albulena Haxhiut, ushtruese aktuale e detyrës së presidentes dhe kryetare e Parlamentit, siç është konfirmuar, ajo do të rikandidojë për këtë post. Kjo strategji, duke konstituuar Kuvendin e ri dhe Qeverinë, do të zhbllokonte procesin brenda afateve kushtetuese. LVV-ja i ka të siguruara votat për kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, ndaj problemi më vete mbetet vetëm zgjedhja e kreut të shtetit. Kjo pasi në dy raundet e para kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, edhe nëse ata nuk votojnë, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë”, shpjegon Qarri.
Në fund, ai vlerëson se kësaj radhe shpresat për të tejkaluar bllokadën janë më konkrete dhe shtjellon skenarët e mundshëm në rast dështimi.
“Shpresat për zhbllokimin dhe zgjedhjen e presidentit kësaj radhe nuk janë venitur dhe janë më të dukshme. Kjo sepse edhe partitë opozitare, pas humbjeve të pësuara, nuk janë të interesuara për zgjedhje të reja të parakohshme. Një skenar i tillë do të ishte katastrofal për LDK-në me problemet e saj të shumta. Për dallim nga e kaluara, AAK-ja ka deklaruar se është e gatshme ta votojë edhe Glauk Konjufcën për president në kuadër të një marrëveshjeje me LVV-në, duke parashtruar disa kushte, dhe besoj se ekziston hapësira për një kompromis. Përndryshe, nëse konsensusi nuk arrihet në ditët e mbetura, skenari më i mundshëm mbetet që opozita të sigurojë kuorumin duke qëndruar në sallë deri në përfundim të seancës. Kjo do të mundësonte zgjedhjen e presidentit/es, qoftë edhe në raundin e tretë me 61-63 vota që ka LVV-ja dhe partnerët e pakicave joserbe, duke kapërcyer kështu një ngërç që po shkon drejt fundvitit të dytë. Kjo situatë po e paraqet politikën vendore si shumë problematike dhe aspak serioze para faktorit ndërkombëtar dhe Kosovën si një vend jostabil në Ballkan, përballë një morie obligimesh ndërkombëtare dhe rrugëtimit drejt integrimeve euroatlantike”, përfundon analisti.
