Një tragjedi e rëndë ka goditur një kantier ndërtimi në kryeqytet, ku rrëzimi i një vinçi ka marrë jetën e një personi dhe ka lënë një tjetër të plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në rrugën “A” në Prishtinë, gjatë zhvillimit të punimeve. Makina e rëndë është rrëzuar papritmas, duke zënë poshtë punëtorët që ndodheshin pranë.
Të lidhura
None found
Zëdhënësi i Policisë së rajonit të Prishtinës, Enis Pllana, në një komunikim për “Bota sot” dha detajet e para zyrtare. Ai bëri me dije se dy persona pësuan dëmtime trupore dhe u transportuan me urgjencë në spital.
“Për sa i përket këtij incidenti, konfirmojmë se dy qytetarë janë lënduar dhe janë nisur menjëherë për ndihmë mjekësore. Fatkeqësisht, plagët e njërit prej tyre rezultuan vdekjeprurëse dhe mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës konstatuan humbjen e jetës”, u shpreh Pllana.
Ai shtoi se forcat e policisë kanë mbërritur pa vonesë në vendin e aksidentit dhe kanë kryer të gjitha procedurat paraprake. Një hetim i plotë tashmë ka filluar, nën drejtimin e Prokurorit të Shtetit, për të sqaruar dinamikën dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike.
