Ekzekutivi kosovar ka miratuar një sërë vendimesh, ndër të cilat spikat aprovimi i marrëveshjes për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore në kryeqytet, një projekt ky i mbështetur nga një grant në shumën 17.2 milionë euro.
Të lidhura
None found
Kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi këtë marrëveshje, që do të nënshkruhet mes Ministrisë së Financave, kompanisë “Termokos” dhe Bankës Evropiane të Investimeve, si një ndër nismat më jetike infrastrukturore në fushën e energjisë.
Sipas tij, ky veprim i hap udhën finalizimit të një partneriteti financiar thelbësor për të quar përpara një projekt me pasoja konkrete në përmirësimin e jetës së banorëve.
Nga ana e tij, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky investim do të bëjë që përqindja e qytetarëve të mbuluar nga ngrohja qendrore në Prishtinë të kapërcejë pragun e 50 për qind. Ai shtoi se nisma synon shtrirjen e tubacioneve drejt lagjeve dhe përdoruesve të rinj, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimit. Për më tepër, Murati nënvizoi se projekti pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër ndotjes atmosferike, duke ulur varësinë nga energjia elektrike dhe lëndët e tjera djegëse për ngrohje.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria dha pëlqimin edhe për Marrëveshjen Ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen në zonën “EU Roam Like Home”, një hap i domosdoshëm për zbatimin e plotë të legjislacionit evropian të roaming-ut.
Gjithashtu, u miratua kërkesa e Agjencisë Pyjore të Kosovës për dhënien me qira të një zone për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror, me një afat 15-vjeçar. Në listën e akteve të aprovuara përfshihen edhe Projektrregullorja për procedurat e rekrutimit të zjarrfikësve, vendimi për t’i kaluar Ministrisë së Drejtësisë një truall rreth 30 ari në pronësi të Ndërmarrjes së Pyjeve në Prizren, si dhe Korniza për Ngritjen e Kapaciteteve Digjitale në administratën qendrore.
