Një valë shkatërruese zjarresh ka kapluar Francën dhe Spanjën, duke detyruar autoritetet të evakuojnë më shumë se 80 mijë njerëz nga rajonet e kërcënuara, në një prej krizave më të ashpra të viteve të fundit.
Të lidhura
None found
Në territorin francez, u dha urdhër për zbrazjen e plotë të gadishullit të njohur turistik Cap Ferret. Ndërkaq, Spanja ka aktivizuar gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare si pasojë e avancimit të pakontrolluar të zjarreve në afërsi të kryeqytetit.

Në departamentin Gironde, flakët që shpërthyen të martën kanë karbonizuar më shumë se 10 mijë hektarë. Laurent Nuñez, titullari i Brendshëm francez, konfirmoi zhvendosjen e rreth 40 mijë individëve nga Cap Ferret, ku një pjesë e mirë e banorëve dhe pushuesve u larguan përmes detit me mjete lundrimi, ndërsa pjesa tjetër u transportua me makina.
Sipas të dhënave nga terreni, 53 shtëpi dhe një qendër pushimi janë shkrumbuar, por ndërhyrja intensive e ekipeve zjarrfikëse ka mundësuar shpëtimin e afro 2 mijë banesave. Ritmi i përhapjes së flakëve ka qenë alarmant, me një shpejtësi që arrinte deri në 1 mijë hektarë të djegur brenda një ore në disa pika.

Një front tjetër i fuqishëm është aktivizuar në rajonin Landes, në zonën e Biscarrosse-s. Aty më shumë se 23 mijë vetë janë evakuuar nga rezidencat, kampingjet, një shtëpi pleqsh dhe një kamp veror. Autoritetet raportojnë se 105 ndërtesa janë ose të shkatërruara plotësisht ose të dëmtuara rëndë.
Përballë kësaj tabloje, në Spanjë, ekzekutivi qendror shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare. Disa vatra pranë Madridit kanë dalë jashtë çdo parashikimi; dy prej tyre, ato në Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias, janë bashkuar në një të vetme. Kjo ka sjellë largimin e detyruar të më shumë se 19 mijë banorëve nga tri qytete në perëndim të metropolit madrilen.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e përshkroi situatën si “dramatike”, ndërsa presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, theksoi se vendi po përballet me “incidentin më të madh të zjarrit në historinë e rajonit”.

Në Francë, beteja me flakët ka pasur kosto tragjike: dy zjarrfikës humbën jetën të martën gjatë operacioneve për shuarjen e një vatre pranë aeroportit të Bordeaux. Si përgjigje, Bashkimi Evropian ka mobilizuar mjete ajrore për të dy vendet, duke dërguar tre avionë dhe dy helikopterë për Francën, si dhe katër avionë të specializuar për Spanjën.
Specialistët e fushës nënvizojnë se moti skajor, me temperatura rekord, thatësirën e stërzgjatur dhe erërat e fuqishme, po krijon një mjedis ideal për përparimin e shpejtë të zjarreve. Shërbimi Evropian për Ndryshimet Klimatike “Copernicus” vëren se Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër, duke e bërë periudhën verore çdo vit më të rrezikshme për shpërthimin e zjarreve në shkallë masive.
