Presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të përdorin fondet e ngrira iraniane për të mbuluar kostot e dëmeve të shkaktuara mbi anijet dhe ngarkesat në Gjirin Persik. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin e tij Truth Social, ai theksoi se çdo dëmtim i mjeteve lundruese, mallrave apo infrastrukturës detare do të mbulohet financiarisht nga rezervat iraniane që ndodhen në posedim të SHBA-së, deri në një vendim të mëtejshëm.
Të lidhura
None found
Operacionet amerikane kundër objektivave iraniane vijuan edhe për natën e 13-të me radhë. Sipas njoftimit të Komandës Qendrore të SHBA-së, goditjet nisën në mbrëmjen e së enjtes dhe u përqendruan mbi caqe ushtarake të Iranit. Qëllimi i deklaruar ishte reduktimi i aftësive të Gardës Revolucionare dhe neutralizimi i kërcënimeve ndaj lundrimit tregtar në zonë.
Vetëm pak orë më pas, Teherani kundërpërgjigjej. Forcat e armatosura iraniane bënë të ditur se kishin lëshuar dronë vetëvrasës kundër bazës ajrore Isa në Bahrein, duke pretenduar se arritën të godasin depozitat e karburantit, depot e pajisjeve ushtarake si dhe ndërtesat e fjetjes së trupave amerikane. Një korrespondent i AFP-së i pranishëm në Bahrein konfirmoi se u dëgjuan shpërthime dhe u aktivizuan sirenat e alarmit, por ende nuk ka një sqarim zyrtar mbi shkakun e incidentit.
Po ashtu, Irani raportoi se kishte goditur edhe bazën Al-Azraq në Jordani, duke synuar hangarët e avionëve, qendrat e mirëmbajtjes dhe objektet e tjera ushtarake. Autoritetet jordaneze nuk kanë dhënë ende asnjë konfirmim mbi ndonjë sulm të mundshëm brenda territorit të tyre.
