Sfidat e sistemit shëndetësor prej vitesh janë thelluar edhe për shkak të mungesës së theksuar të anesteziologëve.
Tani, kjo situatë ka filluar të ndryshojë, pasi Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet rajonale kanë mirëpritur 25 specialistë të rinj të anestezisë, të cilët pritet të fuqizojnë ndjeshëm kapacitetet profesionale dhe të përmirësojnë drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve ndaj pacientëve.
Të lidhura
None found
Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Ismet Jusufi, tha se ky fluks i ri kuadrosh ka lehtësuar presionin e punës, megjithëse shifrat totale vijojnë të jenë poshtë nevojave optimale për të gjitha repartet kirurgjike.
“Kjo e ka përmirësuar relativisht situatën sa i përket numrit. Nuk është numri që u nevojitet klinikave, duke pasur parasysh kapacitetet e mëdha që kanë, por megjithatë jemi të kënaqur me pranimin e anesteziologëve të rinj. Ata tashmë janë sistemuar nëpër klinika dhe efektet e para të përmirësimit po shihen, pasi është ulur presioni”, u shpreh Jusufi.
Krahas rritjes së numrit të ndërhyrjeve kirurgjike që mund të kryhen, ky plotësim i stafit do të bëjë të mundur edhe administrimin e pushimeve të rregullta vjetore për ekipin aktual, i cili ka funksionuar nën një mbingarkesë të pandërprerë.
“Ajo që është e rëndësishme është se pjesa më e madhe e tyre nuk ka arritur t’i kryejë as pushimet vjetore të vitit 2025. Ngarkesa e madhe në punë ka shkaktuar lodhje të stafit. Tani, me shtimin e tyre, synojmë që të paktën ata që kanë punuar pa pushim të mund t’i shfrytëzojnë pushimet e tyre”, shtoi ai.
Me ardhjen e anesteziologëve të rinj, numri i përgjithshëm i këtyre profesionistëve në QKUK ka shkuar në rreth 60, duke përbërë një hallkë kyçe në çdo procedurë kirurgjike, terapinë intesive, menaxhimin e urgjencave dhe shërbimeve të tjera të anestezisë.
