Një stuhi e fuqishme përfshiu qytetin bregdetar të Sarandës në harkun e pak minutave, duke lënë pas një bilanc dëmesh materiale dhe duke çuar tre persona në spital.
Vetëm pesë minuta shi i rrëmbyer dhe erë e fortë mjaftuan për të shkulur pemë të tëra, të cilat bllokuan disa akset rrugore dhe vështirësuan lëvizjen.
Të lidhura
None found
Era shkatërrimtare goditi edhe fasadat e lokaleve përgjatë shëtitores, duke shkaktuar dëmtime të ndryshme.
Një prej ngjarjeve më shqetësuese ndodhi në rrugën pranë stadiumit të qytetit, ku rrëzimi i një pishe dëmtoi tre makina të parkuara.
Ndërkohë, nga urgjenca mjekësore bëhet me dije se tre qytetarë u plagosën nga copat e xhamave të thyer gjatë furisë së motit. Ata morën mjekimin e duhur në spital dhe më pas u kthyen në shtëpi.
Pamjet e sjella nga vendi i ngjarjes pasqyrojnë pasojat e stuhisë në disa pika të Sarandës. Forcat e shërbimeve bashkiake kanë dalë menjëherë në terren për të inspektuar dëmet dhe për të ndërhyrë në zonat e prekura.
Siç shihet edhe në pamje, stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të Sarandës, ndërsa punonjësit e shërbimeve të Bashkisë kanë zbritur në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në zonat e prekura.

