Punimet e Kuvendit u ndërprenë pa u shqyrtuar i gjithë rendi i ditës, për shkak të tensioneve dhe zënies së foltores nga deputetët e opozitës, situatë që pengoi vijimin normal të seancës plenare.
Për rrjedhojë, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, nuk mundi të prezantonte raportin e institucionit që drejton. Pas propozimit të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, vendosi që çështjet e mbetura të kalonin në mbledhjen e së enjtes. Ai argumentoi se rendi i ditës nuk mund të ndryshohej si pasojë e presionit.
Të lidhura
None found
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, kishte propozuar që raportimi i Shabanit të kapërcehej dhe seanca të vazhdonte me drejtuesit e institucioneve të tjera, por kjo kërkesë nuk u pranua.
Peleshi deklaroi se, ndonëse hartimi i rendit të ditës është kompetencë e kryetarit, ai nuk mund të ndryshohet pas shtatë orësh për shkak të presionit të krijuar nga bllokimi i foltores. Sipas tij, një precedent i tillë nuk i shërben askujt dhe Kuvendi nuk mund të pengohet sa herë që një drejtues institucioni nuk pëlqehet.
Ai theksoi gjithashtu se ligjshmërinë ose jo të drejtuesit në fjalë nuk e përcakton Kuvendi, por gjykata, ku opozita kishte vepruar drejt duke e dërguar çështjen. Peleshi nënvizoi se nuk ekzistonte asnjë vendim pezullimi dhe se çështja do të shqyrtohej në shtator. Deri në marrjen e një vendimi, sipas tij, pretendimet mbeteshin vetëm qëndrime personale të një grupi të caktuar, ndërsa rendi i ditës nuk mund të ndryshohej gjatë ditës.
Duke e cilësuar mbylljen e seancës dhe kalimin e pikave të pambyllura në mbledhjen pasuese si një vendim të mbështetur në rregullore, Peleshi e hodhi propozimin në votim. Ai akuzoi opozitën se po mbante peng Kuvendin përmes zënies së foltores dhe se po pengonte raportimin e Avokatit të Popullit. Shtyrja u miratua me 76 vota pro dhe 25 kundër, ndërsa Peleshi njoftoi se seanca e ardhshme do të zhvillohej të enjten dhe shpalli mbylljen e punimeve.
