Revolta qytetare kundër qeverisë dhe të gjithë klasës politike ka hyrë sot në ditën e 48-të. Protestuesit u mblodhën sërish këtë pasdite në sheshin “Skënderbej”, për t’u zhvendosur më pas përpara godinës së Kryeministrisë. Pas disa orësh me fjalime, ata nisën marshimin e përnatshëm përgjatë Bulevardit, duke treguar se lëvizja e filluar prej javësh do të vazhdojë.
Kërkesa themelore e protestuesve, sipas organizatorëve, nuk ka ndryshuar: kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe kasta politike, të cilën ata e akuzojnë se ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada, duhet të largohet. Organizatorët kanë bërë gjithashtu thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë.
Të lidhura
None found
Qëndrimi i lëvizjes u artikulua qartë edhe gjatë ditës së 47-të të protestës. Organizatori Edison Lika tha se nuk do të zhvillohen negociata dhe se askush nuk do të lejohet ta përfaqësojë politikisht revoltën.
“Kjo lëvizje nuk do futet kurrë në negociata sepse kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd. Pika e parë e kësaj proteste është dorëheqja e Ramës”, u shpreh ai.
Në tubimin e djeshëm, aktivistët kundërshtuan edhe ato që i cilësuan si përpjekje për të krijuar përshtypjen se brenda mazhorancës ka nisur reflektimi. Ata nënvizuan se qytetarët nuk do të kënaqen me ndërhyrje kozmetike apo me zëvendësime emrash në kabinetin qeveritar.
Prania e studentëve me pelerinat e diplomimit përbëri një prej momenteve më simbolike të protestës. Përmes mesazhit “Ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi”, ata theksuan se Shqipëria nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj pa rininë.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj kërkoi ndërkohë që hetimet të mos kufizohen vetëm te ish-zyrtarët, por të arrijnë deri në nivelet më të larta drejtuese të qeverisë.
“Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Pankartat me ironi dhe satirë ndaj qeverisë, opozitës dhe tërë klasës politike mbetën ndër elementet më të dukshme të tubimit. Protestuesit përsëritën edhe thirrjet që janë shndërruar në simbol të lëvizjes: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, “Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit” dhe “Rama SPAK you!”.
Pas 47 ditësh të njëpasnjëshme protestash, organizatorët deklarojnë se daljet në shesh do të vijojnë çdo ditë. Ata i ftuan qytetarët t’i bashkohen edhe tubimit të 48-të, duke këmbëngulur se protesta nuk do të përfundojë pa u realizuar kërkesat e pjesëmarrësve.
