Profesori i njohur i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka dënuar deklaratat e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq. Ajo kishte thënë gjatë një paraqitjeje televizive se, po të ishte në vendin e liderit serb të kohës së luftës, Slobodan Millosheviq, në vitin 1998 do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Të lidhura
None found
Në prononcimin për televizionin N1, Serwer e përshkroi këtë qëndrim si tepër të rëndë dhe të papranueshëm. Ai vlerësoi se udhëheqja e Serbisë duhej të reagonte pa vonesë në nivel institucional.
“Nëse Vuçiq do të kishte qoftë edhe një pjesë të vetme të tij që nuk pajtohej me këtë, ai do ta shkarkonte menjëherë. Është një deklaratë aq e dënueshme sa është e vështirë ta përshkruash”, deklaroi Serwer.
Sipas profesorit amerikan, fakti që Paunoviq nuk është larguar nga detyra e saj ministrore nënkupton se nuk bëhet fjalë thjesht për një deklaratë individuale. Ai tha se kjo situatë hap dilema për qasjen më të gjerë politike të institucioneve serbe ndaj retorikës së lidhur me spastrimin etnik.
Ministrja serbe e dha këtë deklaratë më 11 korrik, në një intervistë për Kurir TV, e cila nxiti reagime të ashpra në Kosovë dhe në rrafshin ndërkombëtar.
Paunoviq është pjesë e Partisë Socialiste të Serbisë, parti që dikur është udhëhequr nga ish-kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviq. Ajo u kritikua për normalizimin e një ideje që lidhet me krimet dhe dëbimet masive të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Institucionet e Kosovës e kanë shpallur Paunoviqin person non grata, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj saj. Kundërshtime ndaj deklaratave të saj kanë shprehur edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
