Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë personave, të dyshuar për përfshirje në grup kriminal të organizuar dhe kryerje të disa veprave të rënda penale.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të PSK-së, aktakuza është dorëzuar ndaj A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O. Ata dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, në periudhën korrik 2024 – janar 2025, në Pejë, të pandehurit kanë vepruar në kuadër të një grupi të organizuar kriminal. Dyshohet se ky grup kishte planifikuar vrasjen e një personi, si edhe plagosjen ose vrasjen e dy personave të tjerë, me synim përfitimin e kundërligjshëm pasuror.
Të akuzuarit ngarkohen gjithashtu se kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, kanë kryer zjarrvënie në pronën e një të dëmtuari dhe kanë ushtruar presion, detyrim e kërcënime ndaj personave të ndryshëm për përfitim të kundërligjshëm pasuror.
Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës që ndaj A.H., i cili ndodhet në arrati, të zhvillohet gjykimi në mungesë. Po ashtu, ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për M.D. dhe L.D., si dhe konfiskimin e armëve dhe municionit të sekuestruar.
