Për të 48-ën ditë me radhë, qytetarët do të protestojnë sot kundër qeverisë dhe të gjithë klasës politike. Tubimi i pasdites pritet të nisë në sheshin “Skënderbej”, prej nga pjesëmarrësit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke dëshmuar se revolta e filluar disa javë më parë do të vazhdojë.
Në prag të protestës së radhës, organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në numër sa më të madh. Ata theksojnë se kërkesa themelore nuk ka ndryshuar: kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe kasta politike, e cila sipas tyre e ka mbajtur vendin peng për më shumë se tri dekada, duhet të largohet.
Të lidhura
None found
Qëndrimi i lëvizjes u shpreh qartë edhe gjatë ditës së 47-të të protestës. Organizatori Edison Lika tha se nuk do të zhvillohen negociata dhe se askush nuk do të lejohet të marrë përsipër përfaqësimin politik të saj.
Sipas Likës, kërkesat e lëvizjes janë të përcaktuara dhe për këtë arsye nuk do të negociohet me askënd. Ai nënvizoi se pika e parë e protestës është dorëheqja e Ramës.
Aktivistët, gjatë tubimit të djeshëm, kundërshtuan gjithashtu përpjekjet që, sipas tyre, synojnë të paraqesin sikur brenda mazhorancës ka nisur një proces reflektimi. Ata deklaruan se qytetarët nuk do të kënaqen me ndryshime sipërfaqësore apo me zëvendësime emrash në përbërjen e qeverisë.
Prania e studentëve me pelerina diplomimi përbëri një prej momenteve më domethënëse të protestës. Përmes mesazhit “Ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi”, ata theksuan se Shqipëria nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj pa rininë.
Ndërkohë, aktivistja Sidorela Vatnikaj bëri thirrje që hetimet të mos kufizohen vetëm te ish-zyrtarët, por të arrijnë edhe te nivelet më të larta drejtuese të qeverisë.
Ajo kërkoi që Edi Rama të hetohet si drejtuesi i një organizate kriminale dhe jo në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë.
Në protestë ranë në sy edhe pankartat me përmbajtje ironike e satirike kundër qeverisë, opozitës dhe mbarë klasës politike. Pjesëmarrësit përsëritën thirrjet që janë shndërruar tashmë në simbole të kësaj lëvizjeje: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, “Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit” dhe “Rama SPAK you!”.
Pas 47 ditëve të njëpasnjëshme në shesh, organizatorët deklarojnë se tubimet do të mbahen çdo ditë. Ata i kanë ftuar qytetarët të bashkohen sot në protestën e 48-të, duke këmbëngulur se lëvizja do të vazhdojë derisa të përmbushen kërkesat e protestuesve.
