Kryeministri Edi Rama ka komentuar në platformën “X” thirrjet e shumta që Shqipëria të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç.
Rama u shpreh se pretendimi që çdo person me zë publik, institucion apo autoritet duhet t’i përgjigjet çdo idiotësie të thënë në serbisht, madje edhe kur ajo vjen nga personazhe ekzistencën e të cilëve më parë e njihnin vetëm familjarët, dëshmon mungesë respekti ndaj vetes dhe vendit nga ata që ngrenë alarmin dhe kërkojnë llogari se përse nuk ka reaguar njëri apo tjetri.
Të lidhura
None found
Sipas kryeministrit, qëndrimi i Shqipërisë është përcjellë përmes ministrit të Jashtëm, ashtu siç vepron një shtet që respekton veten. Ai shtoi se kush pret që vendi të shndërrohet në një kor histerik sa herë që një “çyryk” shfaqet në Beograd dhe flet përçart, ka trokitur në adresën e gabuar.
Në fund, Rama iu referua edhe reagimeve të ardhura nga Tirana, duke thënë se mjafton të shohësh se si disa gjejnë një “kalë të ngordhur” për të marrë poza luftëtarësh në front, që të kuptosh përse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës. Ai shtoi se, nëse dikush dëshiron të qeshë me ta, duhet të gjejë edhe kohën për t’i lexuar.
