Ilirjana Kuçana, pjesëtare e Partisë Demokratike, ka bërë thirrje që Flamur Noka, të mos vazhdojë në garë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, duke i lënë vend një fytyre të re në kuadër të përpjekjeve për freskimin e forcës politike.
Sipas Kuçanës, shembulli që duhet marrë është ai i Edi Palokës, i cili u tërhoq nga konkurrimi për t’i krijuar hapësirë një kandidature të re.
Të lidhura
None found
Ajo theksoi se ka ardhur koha që vetë zoti Noka të bëjë një hap pas dhe të pranojë se duhet t’i hapet rruga dikujt që nuk e ka mbajtur më parë këtë detyrë, për të përcjellë sinjalin e qartë të ripërtëritjes që demokratët dhe gjithë shqiptarët presin të dëgjojnë.
Kuçana nënvizoi se brenda Partisë Demokratike nuk mungojnë personalitetet me integritet dhe eksperiencë të gatshme për të marrë përsipër funksione të reja drejtuese.
“Ka individë me substancë të vërtetë politike, me dinjitet, njerëz që e kuptojnë dhe e duan thellësisht PD-në. Tani është çasti që zoti Noka të dalë publikisht dhe të heqë dorë nga gara”, përfundoi ajo.
