Një ndërhyrje e fortë dhe e mbushur me zemërim është dëgjuar në sheshin para Kryeministrisë, ku një e moshuar e ardhur posaçërisht nga Durrësi iu drejtua turmës së mbledhur. Ajo sulmoi drejtpërdrejt ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, duke folur për një tjetër skandal që, sipas saj, lidhet me tjetërsimin e pronave dhe banesave të vjetra durrsake.
Me një gjuhë të ashpër dhe pa asnjë hezitim, ajo theksoi se protesta e qytetarëve nuk do të ndalet përballë asaj që e quajti “mafia e betonit”.
Të lidhura
None found
“43 ditë janë për ne 43 orë! Jemi një popull aq i dashur, aq i respektuar, por ky maskarai nuk i pëlqen. Na quan sorra dhe korba! Ne duam të rrijmë në këtë vend dhe ky na përzë!” tha ajo, duke iu referuar, siç u shpreh, mënyrës fyese me të cilën flet pushteti.
Më pas, e moshuara u ndal te vendimi që ka ndezur revoltën e banorëve të Durrësit, duke paralajmëruar hapur se nëse shtëpitë e tyre preken, reagimi i tyre do të jetë i ashpër.
“Çfarë bëri Edi Rama me Ballukun në Durrës? Ne kemi 11 muaj protestë atje, jemi përleshur me policinë dhe nuk kemi frikë! Në datën 24 gusht, Belinda Balluku bashkë me kryetaren e bashkisë ka firmosur një VKM për të hequr shtëpitë e vjetra durrsake për të bërë lulishte. Kur Durrësi i kishte lulishtet, i betonizuan me Vangjush Dakon dhe mafian! Që ta dijë dhe ajo kryebashkiakja Emiriana Sako: ose të heqë VKM-në, ose do i shkojmë edhe ne te shtëpia! Projekti i tyre është hajdut!” u shpreh ajo mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të forta të protestuesve.
Ajo e quajti Ballukun “hajdute ekstreme” dhe kërkoi që ajo të përfundonte në burg, ndërsa kujtojmë se ish-numri dy i qeverisë është vënë zyrtarisht nën akuzë edhe nga SPAK për disa akuza të rënda.
