Policia e Shtetit ka përmbyllur operacionin ndërkombëtar të koduar “Fury”, të realizuar në bashkëpunim mes strukturave shqiptare të sigurisë dhe partnerëve jashtë vendit. Ky aksion u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Departamentit të Policisë Kriminale, në koordinim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe me mbështetjen e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Shkup.
Si përfundim i këtij operacioni, në Durrës u ndaluan dy shtetas të konsideruar të rrezikshmërisë së lartë shoqërore, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Të arrestuarit janë M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji. Sipas INTERPOL-it, ndaj tyre ishin lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe për vepra penale të kryera në kuadër të një organizate kriminale. Në kontrollin e ushtruar, policia u gjeti dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, që dyshohet se janë përdorur për t’u larguar nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për të shmangur drejtësinë.
Gjatë zhvillimit të operacionit u arrestua në flagrancë edhe Xh. R., 26 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyshuar se u kishte siguruar dokumentet e falsifikuara personave në kërkim. Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në banesën e tij, gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Materialet e çështjes i janë dërguar Prokurorisë për vijimin e hetimeve, ndërsa autoritetet shqiptare kanë vlerësuar bashkëpunimin me partnerët amerikanë dhe homologët maqedonas si vendimtar për suksesin e këtij operacioni.
