Ka nisur mbyllja e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, si pjesë e zbatimit të marrëveshjes së arritur me Danimarkën.
Të lidhura
None found
Objekti në fjalë do të përdoret për të burgosurit që vijnë nga Mbretëria e Danimarkës.
Oda e Avokatëve ka bërë të ditur se është informuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për fillimin e procesit të mbylljes së kësaj qendre, si edhe për zhvendosjen e personave që kanë qenë të vendosur aty drejt institucioneve të tjera korrektuese.
“Oda e Avokatëve të Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të zbatimit të traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze. Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka firmosën një marrëveshje 10-vjeçare për transferimin e të burgosurve nga shteti nordik. Sipas saj, Danimarka do të marrë me qira 300 qeli burgu në Gjilan, ndërsa Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.
Marrëveshja përcakton se të burgosurit që do të dërgohen nga Danimarka në Kosovë nuk duhet të jenë dënuar për krime të rënda, të mos kenë dënime mbi 10 vjet dhe të mos kenë probleme mendore.
Ky plan është përballur me kundërshtime në Danimarkë dhe për një periudhë ka qenë i pezulluar, për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.
