Rënia e vaksinimit kundër fruthit te fëmijët është ndikuar nga dezinformatat.
Si pasojë e kësaj, rreth 5 mijë fëmijë në Kosovë nuk janë vaksinuar në kohën e duhur.
Të lidhura
None found
Prej kohësh, vaksina kundër fruthit është përmendur shpesh në mënyrë të gabuar si e lidhur me autizmin.
Këtë pretendim e hodhi poshtë infektologu Izet Sadiku.
Në Klan Kosova, Sadiku sqaroi edhe burimin e këtyre informacioneve të pasakta.
“Në këtë çështje kanë ndikuar edhe rrjetet sociale ku janë të pakontrollueshme, ku secili mund të jap mendimet e veta. Kjo problematikë ka filluar në vitin 1998-të, ku një grup mjekësh ka konstatuar se ka lidhshmëri me autizmin, por që ka dal që është gabim hulumtimi dhe është tërhequr nga revista ai hulumtim dhe atij mjekut i është marrë licenca dhe ai kurrë s’ka punuar si mjek”, deklaroi ai.
Të njëjtin qëndrim shprehu edhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, Ilir Alimehmeti, i cili tha se vaksina kundër fruthit nuk ka ndikim në autizëm.
“Në 98-tën kur doli ky studim i bërë me vetëm 12 fëmijë patjetër që ngriti flamurin e kuq dhe gjithë botën kërkimore e ngriti në alarm, sepse ne kur shohim diçka të tillë hidhemi për të bërë kërkimet përkatëse. Dhe shumë shpejt u vu re nga një studim i madh me 650 mijë fëmijë në Danimarkë që nuk kishte asnjë lidhje, u bë tjetër studim me 535 mijë fëmijë në Finlandë, nuk u gjet asnjë lidhje. U bë një tjetër me 100 mijë fëmijë në ShBA, nuk u gjet asnjë lidhje. Nëse vaksina për fruthin do të kishte qenë shkak për fruthin, siç po e shihni vaksinimi ka rënë ndër vite, dhe nëse vaksina do të ishte shkak i autizmit edhe autizmi do të kishte rënë”, theksoi profesori Alimehmeti në Klan Kosova.
Ndërkaq, producentja e Programit të Mëngjesit në Klan Kosova, Artiana Matoshi, tërhoqi vëmendjen për pasojat që sjell mosvaksinimi.
“Në Bangladesh për një kohë të shkurtër kanë vdekur 100 fëmijë kanë vdekur nga fruthi si shkak i mosvaksinimit”, deklaroi Matoshi.
Ajo tha po ashtu se mediat në Kosovë, sa i përket kësaj teme, janë përpjekur të mos bien në teori konspirative, por sipas saj devijimi ka ardhur nga rrjetet sociale.
