Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka përshëndetur nënshkrimin e kontratës nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv, pasi ky projekt ka peshë të veçantë për lidhjen infrastrukturore mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Basha është shprehur se “Ky segment përbën vazhdimin e korridorit të rëndësishëm rajonal dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt kompletimit të njërit prej akseve më strategjike të transportit në rajon. Realizimi i këtij investimi do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave, do të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim, investime dhe integrim rajonal”.
Ai gjithashtu ka uruar që punimet të ecin sipas planifikimit dhe që projekti të mbyllet brenda afateve të parapara, në mënyrë që kjo lidhje moderne t’u shërbejë qytetarëve të të dyja vendeve.
“Infrastruktura nuk njeh kufij, andaj çdo investim që rrit ndërlidhjen rajonale, i afron qytetarët, fuqizon ekonomitë tona dhe kontribuon për një rajon më të zhvilluar e më të integruar”, ka shtuar Basha.
