Shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, të arrestuar nga policia serbe më 1 korrik teksa po kthehej në vendlindje, Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, arrestimi i tij u bë në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, që lidh Kosovën me Serbinë, nën dyshime për krime lufte.
Në njoftimin e MPB-së së Serbisë thuhet: “Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”,.
Po ashtu, autoritetet serbe nuk kanë sqaruar në mënyrë të prerë nëse i dyshuari ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familjarët e Osman Selmanit i kanë hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë së Serbisë, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të pabazuara.
Në reagimin e tyre thuhet: “Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah. Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë”,.
Gjatë viteve të fundit, Serbia ka kryer në mënyrë të vazhdueshme arrestime të shtetasve të Kosovës, duke pretenduar përfshirjen e tyre në krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-’99.
