Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026, morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, të FSK-së, partnerë ndërkombëtarë dhe familjarë të kadetëve.
Të lidhura
None found
Para nisjes së aktivitetit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën Kryeministrin Albin Kurti.
Kadetët, të cilët po kurorëzojnë përfundimin e arsimimit ushtarak dhe fillimin e rrugëtimit të tyre profesional në shërbim të vendit, pritet të marrin diplomat dhe të betohen për t’i shërbyer Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë ceremonisë janë paraparë edhe fjalime nga krerët institucionalë dhe drejtuesit e FSK-së.
Në këtë ngjarje, Haxhiu deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO vazhdon të jetë objektiv strategjik i vendit, teksa theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës po ngrit kapacitetet e saj profesionale sipas standardeve më të larta euroatlantike.
Ajo u shpreh se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari mbeten bazat e lirisë së Kosovës, duke u bërë thirrje oficerëve të rinj që detyrën ta kryejnë me ndershmëri, integritet dhe përgjegjësi.
“Kjo ditë u përket në radhë të parë sigurisht juve, kadetë. U përket familjeve tuaja, të cilat i falënderoj nga zemra për mundin, disiplinën dhe edukimin që ju kanë dhënë. I përket akademisë që ju ka përgatitur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi më të mëdha të jetës së tyre”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, diplomimi përmbyll një etapë të rëndësishme të formimit të kadetëve dhe hap një fazë të re përgjegjësie për ta, pasi gjatë katër viteve ata kanë kaluar një proces të plotë akademik dhe ushtarak.
“Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj. Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis një përgjegjësi e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës. Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve, përmes programit të integruar akademik dhe ushtarak, keni përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht keni kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ka ngulitur disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj njerëzve që dinë të mendojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë shpejt e me integritet”, tha ajo.
Haxhiu nënvizoi gjithashtu se grada ushtarake nuk është thjesht një zbukurim në uniformë, por një barrë përgjegjësie që duhet të dëshmohet me profesionalizëm dhe integritet.
“Gradat që do të mbani në supet tuaja nga sot nuk janë thjesht dekorim në uniformën tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdesin ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe atëherë kur vendimet mund të jenë të vështira”, tha ajo.
Në të njëjtën ceremoni, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se diplomimi i gjeneratës 2026 po shoqërohet me angazhime për investime të reja në mbrojtje dhe me thirrje për përkushtim ndaj shtetit.
Ai bëri të ditur se në mandatin e ardhshëm synohet të investohen 1 miliard euro në mbrojtje, të ndërtohet fabrika e municioneve dhe të rritet numri i vajzave në përbërje të ushtrisë.
Kurti theksoi se, krahas pajisjeve moderne dhe investimeve, shtylla më e rëndësishme e ushtrisë mbeten ushtarakët e përgatitur dhe besnikë ndaj atdheut.
“Nga sot nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqësit e së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve keni përjetuar vështirësi, keni sfiduar veten dhe jeni detyruar të arrini rezultate. Gjatë kësaj periudhe jeni ngarkuar me vlera të larta, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta keni si oficerë të Republikës. Qeveria e Kosovës gjatë këtyre viteve mbrojtjen e ka vendosur si njërën ndër prioritetet kryesore”, tha Kurti.
Ai shtoi se një forcë moderne ushtarake nuk ndërtohet vetëm mbi bazën e investimeve në pajisje ushtarake.
“Kjo është komponenta thelbësore e Forcës së Sigurisë. Për të pasur një ushtri të përgatitur, të trajnuar dhe të pajisur me pajisje moderne nuk është e mjaftueshme nëse ushtria jonë nuk shquhet me njerëz të devotshëm që e duan atdheun më shumë se veten”, tha ai.
Duke folur për planet e mandatit të ardhshëm, Kurti paralajmëroi investime të mëdha në fushën e mbrojtjes.
“Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro, do t’i kemi 1 mijë vajza pjesë të ushtrisë sonë. Do ta kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do t’i kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakë më të përgatitur e më të shkolluar se asnjëherë më parë, sepse pjesë e ushtrisë sonë janë pikërisht këto vajza”, tha ai.
Në ceremoni foli edhe komandantja e Qendrës për Studime Universitare, majorja Mimoza Buteci, e cila u dha kadetëve mesazhe lidhur me mënyrën se si duhet ta ushtrojnë profesionin e tyre.
Ajo theksoi se oficerët duhet ta vendosin interesin e shtetit dhe të institucionit mbi interesat personale.
“Ju zgjodhët t’i vendosni interesat e të tjerëve, nevojat e institucionit dhe të tjerëve para nevojave dhe interesave tuaja personale. Prandaj mos harroni se detyra, nderi dhe atdheu duhet të jenë udhërrëfyesit tuaj para çdo vendimi që do ta merrni si drejtues të ushtrisë”, tha Buteci.


