Bisedimet e zhvilluara në Doha për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që synon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, janë mbyllur, bëri të ditur zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, palët kanë rënë dakord për ngritjen e një kanali të posaçëm komunikimi, i cili pritet të vihet në funksion deri nesër. Ky mekanizëm do të shërbejë për raportimin, evidentimin dhe vlerësimin e menjëhershëm të shkeljeve të mundshme të memorandumit, me synimin për të garantuar zbatimin sa më efektiv të marrëveshjeve.
Të lidhura
None found
Gharibabadi deklaroi po ashtu se është arritur mirëkuptim për çlirimin me faza të një pjese të fondeve iraniane, rreth 6 miliardë dollarë, që vijojnë të mbeten të bllokuara jashtë vendit. Sipas palës iraniane, këto mjete financiare do të përdoren vetëm për blerjen e mallrave dhe produkteve që mbulojnë nevojat bazë të vendit.
Këto zhvillime shihen si domethënëse, pasi mund të ndihmojnë në rritjen e besimit mes dy palëve dhe në ruajtjen e marrëveshjes së brishtë për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Megjithatë, deri në këtë moment, nga pala amerikane nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me deklaratat e zyrtarit iranian.
