Më 28 qershor, Ushtria e Serbisë pritet të organizojë një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade”, pikërisht në ditën e Vidovdanit, që në Serbi lidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës. Gjatë këtij aktiviteti, sipas paralajmërimeve, do të paraqitet edhe armatimi më i ri në dispozicion të forcave të armatosura serbe.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se kjo stërvitje do të jetë më e rëndësishmja që ushtria serbe ka zhvilluar deri tani.
Të lidhura
None found
Data 28 qershor, e njohur si Vidovdan, zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe kombëtare të Serbisë, pasi lidhet me Betejën e Kosovës të vitit 1389 dhe konsiderohet ndër datat më domethënëse në kalendarin politik dhe historik serb.
Lidhur me këtë zhvillim, eksperti i sigurisë Drizan Shala vlerëson se përzgjedhja e 28 qershorit për organizimin e stërvitjes më të madhe të Ushtrisë së Serbisë mbart një simbolikë të fuqishme politike, sidomos në raport me Kosovën.
Ai nënvizon, megjithatë, se një vlerësim profesional nuk mund të mbështetet vetëm te pesha simbolike e datës, por duhet të shqyrtojë edhe njësitë ushtarake të përfshira dhe skenarin operacional, në mënyrë që të kuptohet objektivi i vërtetë i kësaj stërvitjeje.
“Nuk ka dyshim se zgjedhja e 28 qershorit – Vidovdanit – për zhvillimin e stërvitjes më të madhe të Ushtrisë së Serbisë mbart një simbolikë të fortë politike dhe historike. Kjo datë është pjesë e identitetit kombëtar serb dhe përdorimi i saj për një demonstrim të fuqisë ushtarake përçon një mesazh politik, si për opinionin e brendshëm, ashtu edhe për rajonin, veçanërisht për Kosovën. Megjithatë, një analizë profesionale e sigurisë nuk mund të mbështetet vetëm te simbolika. Për të kuptuar qëllimin real të stërvitjes, duhet të analizohen elementet ushtarake që e përbëjnë atë.
Së pari, duhet identifikuar se cilat njësi marrin pjesë në ushtrim. A janë të angazhuara brigadat e këmbësorisë, njësitë e mekanizuara dhe të blinduara, artileria, forcat speciale, aviacioni ushtarak, mbrojtja kundërajrore apo komponentët e luftës elektronike? Struktura e forcës pjesëmarrëse është treguesi i parë i natyrës së stërvitjes.
Së dyti, duhet analizuar skenari operacional. A simulohet mbrojtja e territorit, kundërsulmi, operacionet ofensive, marrja dhe mbajtja e një objektivi, neutralizimi i një qendre komanduese, operacionet në thellësi apo integrimi i zjarrit ndërmjet forcave tokësore dhe ajrore? Vetëm analiza e misionit taktik mund të tregojë se cilat aftësi po testohen”, thotë ai.
Më tej, Shala thotë se për të zbërthyer qëllimin real të stërvitjes, duhet parë edhe funksionimi i sistemit të komandimit, inteligjenca, lufta elektronike, mbështetja logjistike dhe ritmi i mobilizimit.
Sipas tij, vetëm një analizë e plotë në planin taktik, operacional dhe strategjik mund të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me një demonstrim force, një ngritje të gatishmërisë luftarake apo me dërgimin e një mesazhi strategjik më të gjerë.
“Një element tjetër kyç është sistemi i komandimit dhe kontrollit (C2), integrimi i inteligjencës, zbulimit dhe vëzhgimit (ISR), përdorimi i luftës elektronike (EW), mbështetja logjistike dhe ritmi i mobilizimit. Këto komponentë tregojnë nëse kemi të bëjmë me një ushtrim rutinë, një demonstrim force apo një testim të gatishmërisë operacionale për skenarë më kompleksë.
Vetëm pasi të analizohen këta indikatorë mund të nxirret një vlerësim në tre nivele:
• Taktik – çfarë misioni konkret po ushtrojnë njësitë dhe cilat objektiva simulojnë në terren.
• Operacional – nëse stërvitja demonstron aftësinë për të koordinuar formacione të mëdha dhe për të zhvilluar operacione të kombinuara.
• Strategjik – çfarë mesazhi synon të dërgojë Serbia përmes kësaj stërvitjeje dhe si lidhet ai me objektivat e saj të politikës së sigurisë.
Prandaj, ndërsa data e zhvillimit të ushtrimit mbetet një element me simbolikë të qartë politike, vlerësimi profesional duhet të mbështetet mbi analizën e përbërjes së forcave (Order of Battle – ORBAT), skenarit operacional, objektivave të misionit dhe kapaciteteve që testohen. Vetëm atëherë mund të përcaktohet me saktësi nëse stërvitja synon thjesht demonstrimin e fuqisë, rritjen e gatishmërisë luftarake apo dërgimin e një mesazhi strategjik më të gjerë”, – përfundon ai për “Bota sot”.
